Më shumë se tre të katërtat e ekonomistëve presin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hyjnë në një recesion deri në fund të vitit 2021, ndonëse një shumicë ende vlerëson se Rezerva Federale do të vazhdojë të rrisë normat e interesit këtë vit.
Sipas një sondazhi të bërë nga Shoqata Kombëtare për Biznesin Ekonomik (NABE), 10 për qind kanë parashikuar një recesion që fillon në vitin 2019, 42 për qind një të tillë në vitin e ardhshëm, 25 për qind presin një tkurrje që fillon në vitin 2021, ndërsa pjesa tjetër presin një recesion më vonë se viti 2021 ose nuk shprehen mendime, përcjell Telegrafi.
Projeksionet vijnë përpara publikimit të Departamentit të Tregtisë të Statistikave mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto të tremujorit të katërt, i cili u vonua për shkak të mbylljes së qeverisë.
Ekonomistët e anketuar nga Bloomberg, parashikuan se rritja u tkurr me një normë vjetore prej 2.5 për qind në muajt e fundit të vitit 2018 nga 3.4 për qind që ishte në tremujorin paraprak.
“Ka një përçarje midis asaj që paneli i NABE dhe tregjet mendojnë për rrugën e kursit të Rezervës Federale dhe zvogëlimin e bilancit të saj. Tregjet nuk shohin asnjë rritje të normave të interesit në 2019, ndërsa shumica e panelit NABE pret një ose dy rritje të normës”, tha Megan Greene, kryeekonomist i Manulife Asset Management.
Një numër prej 23 për qind presin që Rezerva Federale të rrisë normën bazë përpara se të fillojë të ulë normat, ndërsa 11 për qind thanë se lëvizja e normës tjetër do të jetë një lehtësim. /Telegrafi/