Mbyllja e dytë për zbutjen e pandemisë COVID-19 e ngadalësoi ekonominë gjermane në fillim të vitit.
Rënia ekonomike doli të ishte disi më e fortë nga sa supozohej më parë.
Siç njofton Zyra Federale e Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të vitit 2021 u zvogëlua me 1.8 për qind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në një llogaritje paraprake të mëparshme rënia ishte 1.7 për qind.
Gjermania pati një fillimvit relativisht të dobët në krahasim me Eurozonën, e cila pësoi një humbje prej vetëm 0.6 për qind, ndërsa ekonomia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rrit me 1.6 për qind edhe falë vaksinimit të shpejtë.
Në veçanti, konsumi privat, i cili normalisht është një shtyllë solide e ekonomisë së brendshme, ka pësuar humbje. Kufizimet e zgjatura dhe deri diku të shtrënguara në luftën kundër pandemisë, e ngadalësuan sidomos xhiron e shitjes me pakicë, e hoteleve dhe restoranteve. Konsumi privat ra me 5.4 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Edhe ngritja e Tatimit e Vlerës së Shtuar në nivelin e mëparshëm pati efekt negativ. Konsumatorët i kishin bërë blerjet e mëdha më përpara, në gjysmën e dytë të vitit 2020, kur ky tatim ishte ulur si masë për ngritjen e koniunkturës. Këto blerje munguan në statistikat e konsumit për tremujorin e parë të vitit aktual.
Nga ana tjetër, tregtia e jashtme përfitoi nga rritja e kërkesës botërore. Por këtu importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3.8 për qind më shumë se eksportet me 1.8 për qind. Sidoqoftë, kompanitë i ulën investimet e tyre në makineri, pajisje, automjete dhe pajisje me 0.2 për qind. Konsumi i qeverisë u rrit me 0,2 përqind, ndërsa investimet në ndërtim u rritën me 1.1 për qind.
Pas rënies në fillim të krizës së COVID-19 në pranverën e vitit 2020, ekonomia më e madhe e Evropës fillimisht u rrit për dy tremujorë radhazi.
“Sado të hidhura që ishin goditjet prapakthyese në tremujorin e parë të këtij viti, ato ishin të fundit për momentin. Rënia e ndjeshme e incidencës dhe shtimi i imunizimit të pjesëve të gjera të popullsisë do të bëjnë të mundur hapjen. Po afrohet një verë e relaksuar, që do të sjellë më shumë para në arkat e dyqaneve”, thotë kryeekonomisti i VP Bank, Thomas Gitzel.
Sipas tij, pika e dobët e ekonomisë, megjithatë, mbetet mungesa e materialeve.
“Mungesa akute e materialeve gjysmëpërçuese është bërë një sprovë serioze për industrinë gjermane të automobilëve – të paktën në planin afatshkurtër”, tha ai.
Por ka edhe një mungesë materialesh në industrinë e ndërtimit, duke filluar nga druri e deri te boja.
“Lajmi i mirë, megjithatë, është se efektet rikuperuese në sektorin e shërbimeve do të jenë aq të forta saqë, në planin makroekonomik, ato do të kompensojnë edhe humbjet e shkaktuara nga mungesa materiale në industri”, përfundon Gitzel.
Në parashikimin e saj më të fundit, Qeveria Federale përllogariste një rritje me afro 3.5 për qind. Prodhimi ekonomik ra vitin e kaluar me rreth 5 për qind. Por Banka Federale parashikon se niveli i para krizës do të arrihet përsëri në vitin e ardhshëm. /Deutsche Welle/