Site icon Telegrafi

Eklipsi i diellit, në Kili u mbyllën shkollat në pritje të errësirës (Foto/Video)

Eklipsi total i diellit zhyti të martën në errësirë një rrip 150 km të gjatë në Kilin verior dhe Argjentinën qendrore para se të humbiste në Atlantik, në një festë popullore që tërhoqi me mijëra njerëz që prisnin prej vitesh të përjetonin këtë fenomen.

Pak minuta para se hëna të vendosej para diellit, duke zhytur në errësirë totale rajonet e Kokuimbos dhe Atakamës, në Kilin verior, në orën lokale 16.30 minuta, kishte heshtje në observatorin e la sillës, një vend ku ishin mbledhur mijëra shkencëtarë, studentë dhe të pasionuar pas astronomisë.

Ndërsa dielli me ngadalë u errësua për të zbuluar vetëm një kurorë zjarri, brohoritjet, duartrokitjet dhe entuziazmi i të pranishmëve, ishte shpërthyes.

“Ishte e pabesueshme! E vërteta është se edhe pse e dimë çfarë do të ndodhë, minuta e hijes është shokuese…”, tha një qytetar.

Rreth 20 minuta para fillimit të eklipsit total, temperatura ra me disa gradë dhe një erë e lehtë nisi të ndjehej. Edhe në pjesë të tjera të Kilit e Argjentinës, njerëzit ngjiteshin në tarracat e ndërtesave ose mblidheshin në sheshe e parqe për të parë eklipsin. Në Kili, shkollat u mbyllën më herët madje në mënyrë që nxënësit të mund të merrnin pjesë në eventet e organizuara me rastin e eklipsit, e po ashtu edhe shumë qendra pune. /tch/

Exit mobile version