Përpara se Sam Altman u shkarkua nga bordi i OpenAI, një ekip i studiuesve në kompani i kishte çuar letër drejtorëve duke i paralajmëruar për një zbulim në Inteligjencën Artificiale, për të cilën thanë se mund të kërcënojë njerëzimin. Ky zbulim po konsiderohet të jetë Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale, që njihet ndryshe si super-inteligjenca.
Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale (AGI) është kur kapacitetet kompjuterike e një makine janë më të larta se ato të njerëzve. Kjo do të rezultonte në zgjidhjen komplekse të problemeve më shpejt se sa njerëzit, veçanërisht ato që kërkojnë elemente kreativiteti ose inovacioni.
Letra e pa-raportuar më herët dhe algoritmi i AI-s ishin zhvillimet kryesore përpara shkarkimit të Altman nga kompania, thanë të dy burimet.
Ndërkaq, përpara se Altman të rikthehej në pozitën e tij, më shumë se 700 punonjës kishin kërcënuar se do të largoheshin dhe do t’i bashkoheshin Microsoft në solidaritet me udhëheqësin e tyre të shkarkuar.
Burimet thanë se letra ishte si një faktor midis një liste më të gjatë ankesash nga bordi, që çuan në shkarkimin e Altman, ndër të cilat ishin shqetësimet mbi komercializimin e përparimeve përpara se të kuptonin pasojat.
Pasi u kontaktua nga Reuters, OpenAI, që nuk komentoi për këtë, pranoi ekzistencën e një projekti të quajtur Q* dhe një letër drejtuar bordit përpara eventit të fundjavës, kur u shkarkua Altman, tha njëri prej burimeve.
Një zëdhënës i OpenAI tha se mesazhi, i dërguar nga Shefja e Teknologjisë Mira Murati, paralajmëroi stafin për raportime të caktuara mediatike pa komentuar saktësinë e tyre.
Projekti Q*
Disa në OpenAI besojnë se projekti Q* (Q-Star) mund të jetë një zbulim i madh për kompaninë për atë njihet si Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale (AGI), tha një nga njerëzit për Reuters. OpenAI e përcakton AGI-n si sistem autonom që mposht njerëzit në detyrat më të vlefshme ekonomikisht.
Duke pasur parasysh burimet e mëdha kompjuterike, modeli i ri ishte në gjendje të zgjidhte disa probleme matematikore, tha personi në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste në emër të kompanisë. Megjithatë, zgjedhja e saktë detyrave matematikore në nivelin shkollës fillore, i bëri studiuesit shumë optimistë për suksesin e ardhshëm të Q*.
Studiuesit konsiderojnë që matematika të jetë kulmi i zhvillimit gjenerues të AI-s. Aktualisht, AI gjeneruese është e mirë në të shkruar dhe në përkthim, dhe përgjigjja e pyetjeve mund të ndryshojë shumë.
Por, arritja e kapacitetit për të zgjidhur detyra matematikore, ku ka vetëm një përgjigje të saktë, nënkupton që AI do të kishte aftësi më të mëdha që ngjasojnë me inteligjencën artificiale. Kjo mund të zbatohet në kërkime të reja shkencore, besojnë studiuesit e AI.
Ndryshe nga një kalkulator që mund të zgjidhë një numër të kufizuar operacionesh, AGI mund të përgjithësojë, të mësojë dhe të kuptojë.
Në letrën e tyre drejtuar bordit, studiuesit shënuan aftësinë e AI-s dhe rrezikun e mundshëm, thanë burimet pa specifikuar shqetësimet e sakta të sigurisë të shënuara në letër. /Telegrafi/