Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e presin shumë sfida. Gjatë fushatës presidenciale, ai ishte i zënë me fjalimet rreth politikës së jashtme të SHBA-ve, paralajmërimit për ndërtimin e murit me Meksikën, por edhe shpesh është përballur me akuza për ngacmime seksuale, dhe nuk kishte kohë të mësojë se çfarë rëndësie ka vendi i ri i punës.
Në një artikull të botuar nga “New Yorker”, që fokusohet në atë se si presidenti në largim Barack Obama po ndihet lidhur me largimin nga Shtëpia e Bardhë dhe ardhjen e Trumpit, shkruan se Obama duhet t’i shpjegojë më shumë gjëra pasardhësit të tij, sesa që kishin bërë më parë paraardhësit, transmeton Telegrafi.
Ndërsa Trump së fundmi ka folur për takimin me Obamën që sipas tij ka shkuar mirë, të punësuarit në Shtëpinë e Bardhë kanë zbuluar se ai ishte i habitur nga shumë detaje dhe detyrave që i ka si president.
Sipas stafit, Trump nuk e dinte se ai duhet të sjellë njerëzit e vet në Shtëpinë e Bardhë
“Obama u ka treguar ndihmësve të vet, se si është dashur ti shpjegojë Trumpit bazat themelore të formimit të çështjeve të ndryshme politike të kabinetit siç janë: marrëveshja bërthamore me Iranin, politikat anti-terroriste dhe shëndetësia”, thuhet në artikullin e “New Yorker”. /Telegrafi/