Site icon Telegrafi

Ejupi: Nuk është pengesë akciza për një litër naftë

Eksperti i ekonomisë Osman Ejupi, nuk e sheh si pengesë shumën e akcizës për një litër naftë, në drejtim të uljes së çmimeve të këtij produkti dhe derivateve të tij.

Ky ish-kryetar i Autoritetit të Konkurrencës thotë se tregtarët e naftës duhet ta ulin fitimin.

Arsyetimet e tregtarëve të derivateve të naftës se akciza në shumën prej 35 cent, është pengesë për uljen e çmimeve, profesor Osman Ejupi i sheh si banale.

“Këtu është pak një keqkuptim i vogël sepse çështja e akcizës është çështje e obligimit të naftëtarëve ndaj shtetit. Ne mund të ulim akcizën për 15 cent, ta vëmë në nivel të Maqedonisë që është 20 cent për litër, por në këtë rast ne i kemi ulë të hyrat për shtetin për 15 cent dhe këtë zbritje nuk e ka bërë tregtari i naftës, por në rastin konkret e kanë bërë ligjet dhe shteti.”

Në lidhje me idetë e formimit të një Rregullatori të naftës, Ejupi thotë se është mirë të ekzistojë një rregullator i tillë, por sipas tij, më mirë do të ishte që Kosova të kishte rafinerinë e saj:

“Çështja është që ne edhe më tej operojmë vetëm me tregtarë apo me importues të mëdhenj të naftës si dhe me ata që e shesin me shumicë e pakicë naftën. Mirëpo, ne në tregun tonë nuk kemi rafineri të naftës. Prandaj çështja e zbërthimit të kostos së një litri të derivateve është pak a shumë e lidhur edhe me përpunimin e naftës brenda në Republikën e Kosovës”, tha ai, raporton Radio Kosova.
Ejupi thotë se në rafineri do të përpunohej nafta e papërpunuar e cila më pastaj do të kishte koston më të lirë. /Telegrafi/

Exit mobile version