Në një nga momentet më prekëse të “Big Brother VIP”, konkurrentja Egla u dha mundësinë banorëve të kryenin një “telefonatë” jo të zakonshme. Këtë herë, ata u ftuan të bëjnë një lidhje të veçantë me një person të dashur që nuk është më në jetë. Egla, me lot në sy, zgjodhi të komunikojë me babain e saj të ndjerë.
Në një skenë që do të mbahet mend për emocionet e sinqerta dhe thellësinë e saj, Egla u shpreh: “Alo ba… hë mo, ç’bëhet andej nga ty? Si të shkojnë punët? A qesh a… ë? Je plakur mo? Mos më thuaj… (qesh). Miri është rritur, është bërë me dy fëmijë, Berti ka dy goca. Unë mbahem, mbaj mamin… e di ti, goca e babit pra.”
Duke ndarë me të atin imagjinar ngjarjet dhe zhvillimet e mëdha familjare, Egla përmendi edhe evolucionin e rrjeteve sociale, një fenomen që babai i saj nuk ka pasur mundësinë të përjetojë. Ajo vazhdoi të tregojë për mbështetjen dhe krenarinë e shokëve të babait, të cilët akoma e kontaktojnë atë përmes këtyre platformave.
“Shokët e tu ca më shkruajnë akoma, nëpër rrjete sociale. Kanë dalë rrjetet sociale, janë ca gjëra që shkruajnë njerëzit me njëri tjetrin dhe aty ka disa nga shokët e t’u që më shkruajnë. Janë krenar që unë jam rritur mirë, e di ti,” shpjegoi Egla.
Në pjesën më të ndjeshme të bisedës, Egla shprehu dëshirën që babai i saj të ishte aty për të parë sukseset e tyre dhe për të ndarë më shumë kohë së bashku: “E di çfarë? Unë do doja të ishe këtu me na pa, të treve që jemi bërë shumë të mirë edhe çunat edhe unë, ia kemi dalë më së miri. Do doja të ishe që t’ia fusnim një udhëtim, ku të na donte qejfi, nga një muhabet siç dije të bëje ti…”
Biseda e saj imagjinare përmbyllet me një mesazh dashurie dhe kujtimi të fortë: “Të mbaj mend shumë mirë edhe të kam në mendje dhe në zemër, mos ki merak fare për mamin e kam unë në dorë dhe çunin, e di ti. Edhe do shihemi… Besmirit i ngjan shumë, si karakter është babaxhan si ty. Ika tani se u qurravitëm ca si shumë, pa merak…”. /Telegrafi/