Egjipti ka refuzuar propozimin izraelit që të dy vendet të rihapin pikën e kalimit në Rafah dhe të menaxhojnë operacionin e ardhshëm të ushtrisë së Izraelit.
Bëhet e ditur se ky plan u prezantua nga shërbimi izraelit i sigurisë, Shin Bet, dhe përfshinë një mekanizëm për menaxhimin e pikës pas një tërheqjeje izraelite.
Por, Egjipti këmbëngul se pika duhet të menaxhohet vetëm nga autoritetet palestineze, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, kalimi në Rafah ka qenë thelbësor për hyrjen e ndihmave në Gazë dhe ka shërbyer si rrugë për të evakuuarit.
Ai është mbyllur më 7 maj kur edhe ra nën kontrollin e ushtrisë izraelite.
Që atëherë, Egjipti dhe Izraeli e kanë fajësuar njëri-tjetrin për mbylljen e pikës dhe bllokimin e ndihmës humanitare, gjë që duket se ka ndikuar në ftohjen e raporteve mes dy vendeve.
Egjipti thotë se kalimi është mbyllur vetëm për shkak të operacioneve ushtarake izraelite.
Ndërkohë, qeveria e Benjamin Netanyahut thotë se Egjipti e ka refuzuar kërkesën për ta hapur vendkalimin për civilët e Gazës që dëshirojnë të largohen nga vendi. /Telegrafi/