Site icon Telegrafi

Egjipti ëndërron rikthimin e ish-familjes mbretërore shqiptare

Pakënaqësia vazhdon që të rritet dhe të shumtë janë ata persona në vendin afrikanoverior, të cilët kanë mall për periudhën pararepublikane. Evente dhe forume të njerëzve të përkushtuar ndaj ish-familjes mbretërore me origjinë shqiptare të themeluar nga Mehmet Ali Pasha kanë mbirë në mediat sociale, ku madje një fanpage në Facebook ka 3.5 milionë anëtarë

Ditëlindja e fundit e monarkut ishte të enjten më 11 shkurt dhe ndërsa mëngjesi erdhi, një lumë mesazhesh nisën që të rridhnin në mediat sociale.

“Urojmë që të ktheheni, madhëria juaj”, shkroi Maha Ahmed nga Kajroja në një faqe Facebook-u të krijuar për nder të mbretit Faruk, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 1952 pas një grushti shteti.

“Aleksandrisë i mungoni shumë, mbret i dashur”, ishte një tjetër koment i një egjiptiani, i cili postoi edhe një foto të oborrit mbretëror.

Deri në pasdite, nderimet ndaj monarkut egjiptian, i cili u nda nga jeta më 18 mars të 1965-s, ishin me mijëra. Egjiptianët kanë nostalgji për të shkuarën, atëherë kur Egjipti ishte një mbretëri e fortë.

“Na mungoni madhëria juaj, do të dëshironim që të qëndronit”, shkroi një egjiptiano-amerikane, komenti i së cilës mori me qindra postime “Përse ikët? Përse, përse, përse?”

Që prej vitit 2011, në Egjipt janë ndërruar tri qeveri dhe problemet e fundit ekonomike e dhuna ushtarake kanë sjellë në popull nostalgjinë për të shkuarën.

Politikanët aktualë, të udhëhequr nga presidenti Abdel Fattah al Sisi, po përpiqen që të ringrenë shtetin e madh afrikanoverior, i cili po vuan ekonomikisht, ndërkohë që tensionet dhe përplasjet e armatosura janë shtuar në Gadishullin Sinai.

Dhe, ndërsa pakënaqësia vazhdon që të rritet, të shumtë janë ata persona të cilët kanë mall për periudhën pararepublikane.

Kureshtarë për të kujtuar “Periudhën e artë”, rreth 50 mijë persona në javë, bashkohen grupin e sipërpërmendur në Facebook dhe aty postohen fotografi të shekullit të XIX-të dhe fillimi i shekullit të XX-të të Egjiptit, ku lëvdohet dhe respektohet puna e monarkisë.

Disa prindër dhe figura nga familje, ku fati u ndërthur me atë të monarkëve nuk e fshehin kënaqësinë nga ky interesim i popullit për atë kohë.

“Unë mendoj se kjo thjesht është një nostalgji në zbehje e pozicionuar gabim”, tha për “Daily Beast” princi 74-vjeçar Abbas Hilmi, me shumë të ngjarë trashëgimtari më i afërt i linjës mbretërore të mbretit Faruk të dëbuar, i cili vazhdon që ta quajë Kajron shtëpi.

Prince Naguib, pasardhës i dinastisë 800-vjeçare të Mamlukëve dhe që u luftuan dhe shkatërruan nga themeluesi i Egjiptit modern, shqiptari nga Kavalla, Mehmet Ali Pasha, shkon edhe më tutje. “Ka një sjellje romantike të gjithë kësaj. Është ideja e ‘Periudhës së artë’. Këtë e shikoj si diçka shumë naive”.

Por, për shumë egjiptianë, lidhja me një periudhë me më tepër shpresë, kur jeta dukej më e thjeshtë dhe shteti kishte prosperitet është kthyer në një ndjesi shpëtimi mes gjithë këtij kaosi.

Kur ish-presidenti i partisë islamike, Mohamed Morsi, u rrëzua nga ushtria, në popull u rrit dëshira që mbreti të rikthehej në Egjipt.

“Kthejeni prapë Mbretin”, shkroi Essam Hammam, drejtuesi i klubit të kriketit, “Heliopolis”, kur u pyet se çfarë sistemi politik dëshironte ai.

Madje, dhe presidenti Sisi, një ish-gjeneral i së njëjtës ushtri që para 60 viteve hodhën nga pushteti mbretin Faruk, pasardhësin e familjes mbretërore me origjinë shqiptare, e di mirë se sa e vlerëson populli periudhën e monarkisë. Në verën e shkuar, kur u inaugurua zgjatimi i kanalit të Suezit, ai zgjodhi që të lundronte në kanalin e ri me jahtin e vjetër mbretëror, njësoj si Khedive Ismaili, një prej paraardhësve të mbretit Faruk, në 1869-n në hapjen e Kanalit të Suezit.

Që nga koha e Aleksandrit të Madh, pastaj Perandorisë Romake, pushtimit arab, ngritja e luftëtarëve skllevër mamlukë, pushtimit otoman, Egjipti kurrë nuk është drejtuar nga egjiptianët. Mbreti i fundit Faruk ishte pasardhësi i familjes që mbretëroi për 150 vjet i gjeneralit shqiptar Mehmet Ali. I pari u akuzua se ishte i korruptuar, dekadent dhe abuzues me pushtetin.

“Ai fliste keq arabisht, keq anglisht dhe keq frëngjisht”, kujton Abbas Hilmi-u dhe drejtonte vendin me një grup pronarësh të mëdhenj, që zotëronin shumicën e fermave me tokë pjellore buzë Nilit.

Madje, ai u akuzua se ishte lakmitar dhe me qëllim e pajisi me armë të vjetra ushtrinë egjiptiane dhe kjo më pas solli dështimin në luftën e vitit 1948 ndaj shtetit të sapoformuar të izraelit.

Por, për monarkistët, shumica e këtyre akuzave janë të pavërteta. Këto fjalë i hapi gjenerali Gamal Abdel Nasseri, nacionalisti arab që mori drejtimin e vendit pasi rrëzoi mbretin Faruk dhe e detyroi atë që të ikte në Itali. Që atëherë, kanë qenë gjeneralët ata që kanë drejtuar vendin: deri në 2011 kur Hosni Mubaraku u rrëzua gjatë Pranverës Arabe. Më pas, prapë më 2013, Egjipti u rimor nga Ushtria.

“Po, mbreti ishte në një situatë shumë të vështirë dhe i keqpajisur për punën. Unë nuk jam një admirues i Farukut. Jo vetëm sepse ai na tradhtoi që të gjithë neve duke ikur jashtë dhe duke na lënë në baltë”, tha Mahmoud Sabit-i, historian, babai i të cilit ishte kushëri i mbretit.

Ata e pranojnë gjithashtu se edhe i ati i Farukut, Fuadi I, i cili nuk e fliste mirë arabishten që e drejtonte vendin nëpërmjet një kushtetute që u jepte shumë fuqi monarkëve ka fajet e veta.

Por, për Abbas Hilmi, asnjë prej këtyre gjërave nuk përbën një arsye të fortë për ta urryer familjen mbretërore. Dhe, kjo sepse monarkët bënë mrekulli për ta ngritur Egjiptin, nga një provincë pa rëndësi të Perandorisë Otomane në fillim të shekullit të XIX-të, në një vend aq të fortë, sa edhe Britania e Madhe u ndje e detyruar që të pengonte zhvillimin e tij disa dekada më vonë.

“Unë nuk mund të flas në emër të popullit, por mendoj se ne bëmë një punë titanike për ta ndryshuar këtë vend, që kishte ngelur në mesjetë”, tha princi, i cili si shumë egjiptianë të tjerë, ka në afeksion të madh për monarkun e parë, Mehmet Aliun, gjeneralin shqiptar të otomanëve që mori drejtimin e vendit falë ndihmës së ushtarëve shqiptarë, pasi u dërgua nga sulltani për të shtypur rebelimin në këtë provincë, pas pushtimit të shkurtër të francezëve.

“Ai gjeti një vend i cili nuk të hynte në punë për asgjë dhe e përmirësoi atë brenda pak vitesh”, shtoi ai.

Nën drejtimin e tij, Egjipti u bë vendi i dytë pas Britanisë që ndërtoi hekurudhë, me shumë mundësi i dyti që përdori telegraf dhe një ndër të parët që vuri në zbatim një sistem postar modern.

Trashëgimia që kanë lënë pasardhësit e tij është më pak e qartë. Djali i tij më i madh, Ismaili, thuhet se falimentoi shtetin me zellin e tij për t’i impresionuar iluministët vuropianë në hapjen e kanalit të Suezit. Britania pushtoi Egjiptin për shkak të borxheve, por vendasit mendojnë se një rol të madh në prishjen e figurës së monarkëve kanë luajtur gjeneralët, dështimet e të cilëve janë shumë herë më të mëdha se sa të të parëve.

Gjatë protestave kundër ish-presidentit islamik Muhamed Morsi, të shumta ishin banderolat që shpaloseshin dhe vinin në pah sjelljen e mbretit Faruk.

“Faruku pati më shumë dinjitet se sa ty. Të paktën ai u largua pa derdhur gjak”, shkruhej në njërën prej tyre.

Po as mbreti, i cili njihej për jetën e tij luksoze, nuk i lejonte vetes që të ecte në një tapet të kuq të gjatë 4 kilometra, si ai që u shtrua për presidentin e ri, Sisi, dhe autokolonën e tij në fillim të muajit shkurt.

Gjatë kohës së mbretërisë, Port Saidi, një qytet në hyrje të kanalit të Suezit, ishte një port mjaft i zhvilluar. Kurse në vitet e fundit, ai më shumë është njohur për dhunën në futboll. Nisur nga kjo, nuk është aspak çudi që qyteti vendosi që të ringrejë statujën e Fuadit I, i cili u hoq në vitet 50-të.

Jo të paktë janë ata egjiptianë, që kanë kërkuar që vendi të rikthehet në monarki kushtetuese.

Një nga kandidatët e mundshëm për të marrë fronin është Ahmed Fuadi, djali i Farukut, i cili qeverisi vendin si fëmijë për 11 muaj, pasi i ati abdikoi. Ai jeton në Itali dhe presidenti Sisi tani së fundmi i dha atij një pasaportë të re, në të cilën, është regjistruar si ish-mbret, profesioni i tij.

Abbas Hilmi, i cili shikohet si një monark më i përshtatshëm në disa zona, është pritur ngrohtësisht që prej ardhjes së tij në Egjipt në mes të viteve ’90, pas 40 vitesh arrati në Angli.

“E prisja këtë gjë, pas gjithë këtyre viteve të shpëlarjes së trurit ku thuhej se ne ishim mostra, që të paktën disa njerëz do të shfaqnin pakënaqësi ndaj nesh. Por deri në ditët e sotme, unë kurrë nuk kam pasur një takim të sikletshëm. As edhe një”, tha ai.

Por, as princi, dhe as miqtë e tij nuk besojnë se kthimi i ndonjë lloj forme monarkie është i mundshëm apo i dëshirueshëm.

“Do të ishte tmerrësisht e shtrenjtë, pastaj dikush do të pyesë veten nëse është praktike kjo. A është kjo gjëja e duhur për të bërë?”, tha Mahmoud Sabiti.

Princi nuk është se i ka pasur gjërat e thjeshta në Egjipt me ushtrinë që drejton. Ai u nxor jashtë nga shtëpia e tij, pronë e familjes të cilën e mori 10 vite më parë, pas vendimit të qeverisë. Edhe pse pakënaqësitë janë rritur, prapë asnjë brenda qeverisë nuk ka ndër mend që t’i japë një shkundje sistemit.

“Ushtria është ajo që e ka autoritetin këtu”, tha Abbas Hilmiu duke qeshur, “dhe ata janë forca që na përmbysi ne”. /Shqip/

Exit mobile version