Fabrika e pantoflave sllovene “Kopitarna”, nga Sevnica, vendlindja e Melania Trump, tanimë Zonjës së Parë të SHBA-ve, ka nisur një linjë prestigjioze të pantoflave, të cilën ajo e ka quajtur “White House” (Shtëpia e Bardhë).
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një lloj pantoflash, të cilat janë fillimisht duke u prodhuar në sasi të limituar dhe të cilat mund të blihen vetëm me porosi.
Por ajo çfarë bie në sy, përveç tjerash është edhe çmimi i tyre, i cili thuhet se tani për tani është 54,90 euro.
Dikush do të pyeste, se pse ata nuk kanë përdorur emrin “Melania”, “Trump” ose diçka të tillë, por “Shtëpia e Bardhë”.
Kjo për faktin se siç shkruajnë mediat e huaja, ata i janë shmangur një padie të mundshme nga avokatët e familjes Trump, të cilët kanë paralajmëruar se emrat e parë dhe të fundit që lidhen me familjen Trump janë të mbrojtur dhe se ata nuk mund të përdoren për të fituar para, pa leje. /Telegrafi/