Telegrafi

Efektet e COVID-19, kërkesa të mëdha për libra në kohë pandemie – klientët duan të zbukurojnë prapavijën gjatë takimeve në Zoom

Një kompani që furnizon me libra studiot televizive dhe produksionet filmike që i shfrytëzojnë për skena të ndryshme, ka njoftuar se është rritur shitja për zyra dhe shtëpi gjatë izolimit që po ndodh si rezultat i pandemisë së coronavirusit, shkruan BBC.

Bookbarn International shet dhe jep me qira libra me shumicë që i ekspozojnë nëpër studio të ndryshme televizive, për emisione siç është “His Dark Materials”, transmeton Telegrafi.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Nick Bates, thotë se njerëzit po blejnë libra prej tij për të “zbukuruar” prapavijën e dhomës gjatë takimeve online që i realizojnë përmes platformës Zoom.

Kompania me seli në Bristol, pranoi se janë rritur kërkesat për libra nga personat që punojnë nga shtëpia. Madje thotë se disa klientë janë lodhur nga prapavija e zakonshme e dhomës, dhe kështu kanë vendosur ta ndryshojnë duke e “zbukuruar” me libra.

Sipas Bates, klientët nganjëherë porositin një raft me libra – të nesërmen shtëpia e tyre shndërrohet në librari. Shumica prej tyre kanë pranuar se gjatë bisedave me Zoom, duan që prapavija e dhomës të duket më tërheqëse me libra. /Telegrafi/