Këngëtarja e mirënjohur, Edona Llalloshi, gjatë qëndrimit të saj në Londër e ka vizituar muzeun e figurave prej dylli, Madame Tussauds.
Pas sukseseve të pandalshme në skenën e muzikës botërore, këngëtarja me renome ndërkombëtare u nderua duke u përjetësuar me figurën e saj prej dylli në muzeun e famshëm.
Dhe natyrisht se një sukses i tillë i bën krenarë të gjithë shqiptarët, e në veçanti ata që iu jepet mundësia që ta vizitojnë muzeun Madame Tussauds dhe ta shohin figurën e Duas.
Një prej tyre është edhe Edona, e cila është krenuar me Duan duke shprehur admirimin e saj dhe të gjithë shqiptarëve për yllin tonë me famë botërore.
“Në vitin 2000, e vizitova muzeun Madame Tussauds në Londër, takova shumë yje të asaj kohe, sot isha prapë dhe ylli që më së shumti shndriste ishte krenaria jonë, Dua Lipa”.
“Për mua dhe gjithë shqiptarët, ndjesi e veçantë. DUA të dua”, ka shkruar Edona në përshkrimin e fotografisë së publikuar në profilin e saj në Instagram.
Dueti me vëllanë e saj Milotin, “Nuk harrohet”, është një prej projekteve më të fundit muzikore që i ka publikuar Edona e që është pritur shumë mirë nga fansat e saj. /Telegrafi/