Telegrafi

Edoardo Reja flet para përballjes me Spanjën: Janë të rëndësishme si loja e bukur, ashtu edhe rezultati

Trajneri Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për shtyp përpara ndeshjes miqësore që Shqipëria do të luajë nesër në mbrëmje në orën 19:45 në Barcelonë ndaj Spanjës.

Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e parë për vitin 2022 derisa përballë do ta kenë fuqinë e futbollit evropian dhe botëror, Spanjën.

Reja vlerësoi forcën e kundërshtarit dhe u shpreh se kuqezinjtë i kanë cilësitë për t’i befasuar kundërshtarët dhe se skuadra duhet të qëndrojë kompakte për të arritur një rezultat të mirë.

“Futbollin spanjoll e njohim dhe e vlerësojmë sepse ka luajtur gjithmonë mirë me topin. Ka një filozofi të veçantë dhe dua ti bëj komplimentet e mija Luis Enriques sepse është duke bërë një punë shumë të mirë prej katër vitesh”.

“Unë e kam njohur që nga koha kur ishim në Romë që të dy, ai te Roma dhe unë te Lazio. Ai ishte pak më i ri dhe unë disi më ekspert. Mua më ka shkuar mirë sepse kam fituar dy herë derbin, atij disi më keq sepse humbi”.

“Por ndërkohë e kam thënë dhe i kam uruar që të bënte një karrierë të madhe e kështu ndodhi. Kjo sepse përpara se të vinte në Romë kishte stërvitur Barcelonën B, ishte i ri akoma, ndërkohë që më mbrapa u bë një trajner i madh, por mbi të gjitha një njeri i madh që meriton vlerësimin tim të madh”, tha Reja.

Tutje tekniku italian foli edhe për synimet që ka për këtë sfidë të rëndësime duke thënë se vlen si loja ashtu edhe rezultati.

“Si loja ashtu edhe rezultati. Nuk mund të ndahen dot. Dua që të dal nesër nga ky stadium me një paraqitje shumë të mirë. Të mos përsërisim më paraqitje si ajo me Anglinë dhe Francën më parë. Do të më pëlqente të jemi kompetitiv përtej rezultatit që ka një rëndësi relative sepse është një ndeshje miqësore”.

“Do të më pëlqente të bënim një ndeshje të mirë sepse siҫ kam thënë këto janë eksperienca që do na shërbejnë sepse luajmë kundër një skuadre të madhe. Do të shikojmë se në ҫfarë niveli kemi arritur”.

“Kam ndjesinë që po përmirësohemi sa më shumë kohë kalojmë bashkë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Ne duhet të bëjmë eksperiencë ndaj skuadrave të mëdha sepse kemi luajtur më parë ndeshje të tilla, si me Ҫekinë, Uellsin, Poloninë e kemi bërë mirë ndaj Hungarisë, kështu që kjo rritje duhet të vazhdojë”.

“Këto janë ndeshje që shërbejnë për të kuptuar se në ҫfarë pike kemi arritur. Nëse jemi kompetitiv, nëse jemi më pak kompetitiv, nëse jemi përmirësuar. Këto janë eksperienca të rëndësishme. Unë në fakt Federatës i kisha kërkuar dy miqësore të rëndësishme ku mund të bëjmë vlerësime. Këto janë teste për të parë këtë rritje”.

“Djemtë janë të bindur për cilësitë e tyre, po punojnë mirë dhe janë një grup i bukur. Nuk do ta tërheqin këmbën mbrapa sepse duan të bëjnë mirë. Janë ndeshje këto si me Spanjën ku edhe mua do të më pëlqente të luaja ndeshje të këtij niveli. Mendoj se djemtë janë entuziastë përpara këtyre ndeshjeve ku duan të tregojnë cilësitë dhe uroj që të bëjmë një ndeshje të mirë”, tha ndër të tjera Reja. /Telegrafi/