Edin Dzeko tha se fitorja ndaj Barcelonës ishte “një nga lojërat më të mira që kanë parë tifozët e Romës” dhe tani synojnë ta mposhtin Liverpoolin.
Giallorossi do të ballafaqohen të martën mbrëma në Anfield me Liverpoolin në kuadër të ndeshjes së parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.
“Nga faza e grupeve, askush nuk priste që ne të kalonim, sepse ishim në një grup me Atletico Madridin, i cili ka arritur suksese të mëdha çdo vit dhe Chelsean, të cilët janë një nga skuadrat më të mëdha evropiane”, tha Dzeko për gazetën The Telegraph.
“Ne nuk ishim favoritë për të kaluar fazën e grupit, por e bëmë atë. Në çerekfinale, ju e dini, njerëzit pyesnin – kë e doni kundërshtar? U thosha – Nuk dua të luaja me Barcelonën apo Manchester Cityn. Pastaj ju bie si kundërshtar Barca”, deklaroi boshnjaku.
Ai më tutje foli edhe për sfidën me Liverpoolin, teksa tregoi se e njeh filozofinë e trajnerit Jurgen Klopp.
“Unë e njoh Jurgen Kloppin nga Gjermania. E di stilin që dëshiron të luajë, i cili është lojë sulmuese. Edhe ne jemi skuadër që dëshirojmë të sulmojë”.
“Romakët duhet të jenë pozitivë, përndryshe do të kenë një detyrë të vështirë. Ashtu siç e njoh Kloppin dhe Liverpoolin, ata do të mundohen që të kryejnë punën që në takimin e parë në Anfield. Ne do të jemi të përgatitur”.
“Ne jemi një ekip. Çdo gjë që arrijmë tani e bëmë si skuadër. Jo si individë, por si një ekip, sepse ne gjithmonë besonim kur askush nuk besonte në ne dhe ne dhamë gjithçka në çdo lojë”, tha sulmuesi. /Telegrafi/