Telegrafi

Edi Rama premton gazsjellësin edhe për Kosovën

Ka nisur zyrtarisht në Çorovodë të Skraparit zbatimi i fazës së parë të ndërtimit të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) në territorin e Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pjesëmarrës në ceremoni, gjatë fjalës së tij shprehu angazhimin se do ta kthejë TAP-in edhe në një burim zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por gjithashtu edhe për Kosovën.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit, që daton në vitin 2013, nga fillimi i punimeve që praktikisht ndodh sot dhe deri në 2018-n, pra, në tre vjetët e ardhshëm, vetëm nga ky investim prodhimi i brendshëm kombëtar do të rritet me rreth 160 milionë euro në vit.

Ndërsa me fillimin e rrjedhjes së gazit në përfundim të investimit, po sipas këtij studimi, të ardhurat për ekonominë shqiptare do të pasojnë një shumëfishim dhe ekonomia jonë vetëm nga ky projekt do të përfitojë 1 miliard euro, në 20 vjetët në vijim. /koha/