Telegrafi

Edi Rama kujton Rugovën

Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka përkujtuar në mënyrë të veçantë presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

“Në 72 vjetorin e lindjes së tij, Heroi i Kosovës, Ibrahim Rugova, mund të përkujtohej me një mori fotosh apo klishe që shfaqin burrin e madh të Kosovës, kërkuesin e paepur gandian të mëvetësimit të Kosovës.

Mbase, po kjo është veç një hamendje, i madhi Ibrahim Rugova do të kishte dashur të mbetej në kujtesë parësisht si publicisti i palodhur, njohësi i thellë e i pazëvendësueshëm i letërsisë së hershme shqipe në përgjithësi dhe kontributit të Bogdanit në veçanti, emrin e lindjes së të cilit, Pjetër, e përvetësoi si emrin e tij të amshimit.

Ibrahim Rugova mbetet një “pjetër”- gur këndor, në ndërtimin e Kosovës së lirë, të pavarur mbi rrënjët e saj humaniste dhe shpirtërore.

I paharruar kujtimi!”, ka shkruar Rama në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/