Telegrafi

Edhe Violeta Kukaj në listat e veteranëve të UÇK-së!

I ka kënduar Kosovës, por edhe komandantëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zëri nuk i ka shkuar huq. Këngëtarja e muzikës popullore, Violeta Kukaj – Retkoceri, ka hyrë në mesin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndonëse listat e veteranëve ende nuk janë publikuar, “Zeri.info” ka mësuar nga burime të saj brenda komisionit vlerësues se në mesin e personave që e kanë fituar statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si të tillë do të kenë beneficione nga institucionet e Kosovës është edhe këngëtarja Violeta Kukaj.

“Zeri.info” nuk ka pasur mundësi që të bisedojë direkt me këngëtaren e muzikës popullore, por bashkëshorti i saj, Faik Retkoceri, i cili njëherazi është edhe menaxheri i saj, nuk e ka mohuar faktin që bashkëshortja e tij është në mesin e veteranëve, por ka thënë se një intervistë më të detajuar rreth kontributit të këngëtares mund ta japë pas publikimit të listave.

Megjithatë, ai e ka dhënë një arsyetim se këngëtarja Violeta Kukaj është në mesin e veteranëve të UÇK-së.

“Duhet ta keni parasysh se në kohën 1998-99, ka qenë shoqëria kulturore që ka qenë në kuadër të zonës operative”, ka thënë Retkoceri.

Ai ka shtuar se janë edhe disa këngëtarë të tjerë që janë në këto lista.

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ende nuk i ka publikuar të gjitha listat e atyre që kanë qenë pjesë e luftës.

Deri më tani janë publikuar disa nga to, por jo edhe listat nga Zona Operative e Drenicës dhe nga ajo e Shtabit të Përgjithshëm.

Me kërkesën për publikim sa më të shpejtë të listave, të hënën e kësaj jave është mbajtur një protestë e organizuar nga Këshilli që mbron të drejtat e ish-luftëtarëve të UÇK-së.