Një tjetër futbollist cilësor duket se po joshet nga milionat që ka nisur të shpenzojë pa kriter liga kineze dhe mund t’i bashkohet eksodit të lojtarëve që po preferojnë Azinë.
E ardhmja e Wesley Sneijder mund të jetë larg skuadrës së Galatasarayt, pasi mesfushori që ishte pjesë e ‘tripletës’ fituese të Interit në 2010, është në bisedime me dy skuadra kineze të cilat e kërkojnë që këtë muaj.
Ai që konfirmoi interesimin ndaj holandezit, ishte agjenti Guido Albers, i cili e la të hapur mundësinë e ndryshimit të fanellës në afatin dimëror.
“Janë dy klube që e kërkojnë me ngulm, por Sneijder ka një kontratë të vlefshme me Galatasarayn dhe për më tepër nuk i kanë bërë një propozim konkret lojtarit. Dy skuadrat në fjalë kanë informuar klubin turk, por ende nuk ka detaje”, ka deklaruar përfaqësuesi i Sneijder, transmeton TCH, me një referim të qartë se nëse do të vijnë miliona si në rastin e Carlos Tevez apo Oscar, edhe holandezi do të kthehet në një markë kineze.
“Çdo skuadër mund ta blejë Wesley Sneijderin për 7.5 milionë euro dhe këtë shifër e thotë kontrata e tij. Ai është i lumtur me Galatasarayn dhe i pëlqen jeta në Stamboll, e për këtë nuk ka asnjë nxitim për t’u larguar”, është shprehur agjenti i Sneijder.