Shumë të famshëm kohëve të fundit po flasin për problemet e tyre me industrinë e modës.
Pasi Bebe Rexha zbuloi se disa dizajnerë refuzuan të dizajnojnë fustanin e saj për në “Grammy Awards”, sepse ajo ishte “shumë e madhe” me përmasat 6/8, këngëtarja tjetër shqiptare me famë botërore, Rita Ora tregoi përvoja të ngjashme me atë të koleges së saj, gjatë një interviste për revistën “People”.
“Ka pasur probleme të tilla, po, sepse ju duhet të përshtateni me trupin tuaj”, tha Ora e cila është duke promovuar koleksionin më të ri të gjigantit italian, “Giuseppe Zanotti”.
“Unë kurrë nuk i kam marrë refuzimet e tilla si sulm personal ndaj meje, sepse kjo është ajo që jam dhe nuk kam ndryshuar kurrë për askënd”, ka thënë Rita.
Këngëtarja 28 vjeçare shtoi se ajo përpiqet të mos i lejojë këto pengesa që t’i krijojnë asaj shqetësime.
“Unë mendoj se konsistenca është çelësi. Unë nuk marr rroba që nuk më përshtaten personalisht, unë gjej vetëm diçka që më përshtatet”, është shprehur tutje ajo.
Në vend që të referohet vetëm te shtëpitë e mëdha të modës për të dizajnuar veshjet e saj, Ora preferon të mbështesë edhe stilistët e rinj dhe thotë se ajo ndjehet shpresëdhënëse për të ardhmen e industrisë së modës.
Që kur doli me video për problemet e saj me stilistët për veshjen e “Grammy Awards”, Bebe Rexha është përmbytur me oferta nga markat e etura për ta veshur atë për shfaqjen e madhe të ndarjes së çmimeve muajin e ardhshëm.
Yjet si Demi Lovato dhe Tess Holliday gjithashtu kanë shprehur mbështetjen e tyre për këngëtaren shqiptare lidhur me këtë çështje. /Telegrafi/