Telegrafi

Edhe pse nuk do ta luajë më piratin, Depp vishet si Jack Sparrow dhe i viziton fëmijët e sëmurë me kancer

Johnny Depp (Foto: Getty Images/Guliver/Twitter/Institut Curie)

Johnny Depp ka bërë një vizitë befasuese në Institut Curie në Paris, i veshur si njëri prej karakterëve më të famshëm që ka luajtur, kapiteni Jack Sparrow.

Ai nuk do ta luajë më këtë rol në vazhdimet e radhës së “Pirates of the Caribbean”, mirëpo kjo nuk e ka penguar që të veshë kostumin dhe t’u ofrojë gëzim dhe lumturi fëmijëve të sëmurë.

“Vizita befasuese e Jack Sparrow. Pirati më i famshëm për fëmijët dhe të rinjtë në shërbimin tonë… Falënderim i madh për Johnny Deppin për kohën e tij, afërsinë dhe energjinë”, kanë shkruar në faqen e institutit në Twitter.

Instituti Curie, i cili është i specializuar në hulumtimet dhe trajtimet e kancerit, është qendër referimi për shumë kancerë pediatrikë.

Lexo po ashtu Lajmet për Johnny Depp

Çdo vit, më shumë se 400 pacientë të rinj trajtohen nga ekipi i atjeshëm shumëdisiplinorë që ofron metoda të veçanta të kujdesit dhe mjekimit të kancerit.

Johnny Depp njihet si një filantrop i madh, ndërsa jep donacione të rregullta për organizata të shumta bamirëse.

Kujtojmë që në muajin tetor u njoftua se Depp është larguar nga “Pirates of the Caribbean” pas pesë filmave të realizuar, ndërsa tashmë ky lajm është konfirmuar.

Nga Disney kanë thënë se duan të sjellin energji të re në filmat shumë të pëlqyer.

Gjatë 14 viteve janë xhiruar pesë filma për Piratët e Karaibeve, në të cilët Depp e ka luajtur rolin e kapitenit Jack Sparrow, ndërsa filmi i fundit nga kjo franshizë ka qenë “Dead Men Tell No Tales” (2017). /Telegrafi/