Telegrafi

Edhe pse kanë numrin më të madh të vdekjeve në 150 vjetët e fundit, kryeministri suedez beson se me sukses po përballen me pandeminë

Suedia ka zgjedhur strategjinë e duhur për të luftuar përhapjen e coronavirusit, tha kryeministri Stefan Lofven, duke mbrojtur vendimin e qeverisë për të mos miratuar një bllokim të rreptë siç kanë bërë shumë vende evropiane.

Më shumë se 5.800 suedezë kanë vdekur nga COVID 19, një normë shumë më e lartë e vdekjeve sesa te fqinjët e Norvegjisë, Danimarkës dhe Finlandës, raporton reuters.

Por Lofven tha se Suedia ka bërë zgjedhjen e duhur. “Strategjia që ne miratuam, besoj se është e drejtë – të mbrojë individët, të kufizojë përhapjen e infeksionit, etj”, tha ai gjatë një interviste për të përditshmen “Dagens Nyheter”.

“Ajo që është diskutuar më së shumti dhe që Suedia bëri ndryshe, ishte se ne nuk i mbyllëm shkollat. Tani ka mjaft njerëz që mendojnë se kemi pasur të drejtë”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.

Ndërsa shumë vende zbatuan bllokime të rrepta, Suedia është mbështetur kryesisht në masa vullnetare të përqendruara në distancimin shoqëror, megjithëse tubimet publike kanë qenë të kufizuara dhe shtëpitë e përkujdesit – të cilat panë një numër të madh vdekjesh – të karantinuara.

Lexo po ashtu Shkaku i COVID-19, Suedia tani ka numrin më të madh të vdekjeve në 150 vjetët e fundit

Ndërsa Suedia ka parë më shumë fatalitete sesa fqinjët e saj, ajo nuk ka qenë aq e goditur sa vendet si Britania e Madhe dhe Spanja, të cilat miratuan masa shumë më të rrepta të bllokimit.

Ndryshe, Suedia deri më tani ka regjistruar mbi 86 mijë raste të infektuar me coronavirus gjersa kanë ndërruar jetë 5810 persona. /Telegrafi/