Telegrafi

Edhe pse kanë kaluar 33 vite nga katastrofa bërthamore, Çernobili mbetet një vend “fantazmë” (Video)

Lirisht mund të thuhet se është “qyteti fantazmë” më i njohur në botë – bëhet fjalë për Pripyat në Ukrainë, që mbeti i zbrazët pas katastrofës bërthamore të Çernobilit në vitin 1986.

Megjithatë këtë vend shpesh e vizitojnë fotografët apo aventuristët, që duan të shohin se si duket qyteti i shkatërruar nga rrezatimi. E së fundmi është shfaqur një video e filmuar nga ajri më dron, ku tregohen rrugët, shkollat, spitalet dhe ndërtesat e zbrazëta të këtij vendi, transmeton Telegrafi.

Banorët e Pripyat dhe zonës përreth ishin evakuuar për dy ditë, pas shpërthimeve të fuqishme që kishin ndodhur në centralin bërthamor e cila në atmosferë liroi 400 herë më shumë rrezatim, sesa që kishte liruar bomba bërthamore në Hiroshimë.

“Rreth 35 mijë persona që kishin marrë pjesë në pastrimin e centralit bërthamor kanë vdekur vetëm pak vite pas shpërthimeve “, ka deklaruar Nikolai Omelainets, zëvendësdrejtor i Këshillit Nacional për mbrojtje nga rrezatimi.

Nivelit të lartë të rrezatimit i ishin ekspozuar më shumë se pesë milionë njerëz në Ukrainë, Rusi dhe Bjellorusi. E retë radioaktive kishin udhëtuar nëpër Evropë.

Rrezatimi ka lënë gjurmë të mëdha në botën bimore dhe atë shtazore. Autoritetet në Çeki, pas 33 viteve kishin paralajmëruar se derrat e egër në jugperëndim të vendit në vete kanë një dozë të rrezatimit dhe se vazhdojnë të konsiderohen si të rrezikshëm për ngrënie.

Përgjegjësinë për këtë katastrofë që në fakt e kishte shkaktuar një gabim në dizajn dhe mosmirëmbajtja e centralit bërthamor për vite me radhë, autoritetet ishin munduar t’ua vënë punëtorëve. Të gjithë ata që punonin në dhomën e kontrollit dhe që kanë mbijetuar ishin dërguar në llogore.

“Fatkeqësinë e kanë shkaktuar dhe rrezikuar edhe më shumë punëtorët të cilët kishin shkelur rregullat e një reaktori në centralin bërthamor”, ishte thënë asokohe në zyrën e byrosë.

E tani që kanë kaluar 33 vite, për këtë ngjarje të tmerrshme vazhdojnë të flasin dëshmitarët si dhe është realizuar një serial i HBO i titulluar me po të njëjtin emër – “Çernobil”, kurse skenat rrëqethëse nga Pripyati i braktisur vazhdojnë t’i ndjejnë edhe sot ata që marrin rrugën për një turne dyditore.

Organizatorët pretendojnë se turistët i dërgojnë vetëm në të ashtuquajtura zona të caktuara, ku janë të sigurt nga niveli i lartë i rrezatimit. E sipas ekspertëve një vizitë e shkurtër nuk është e rrezikshme për shëndetin e njeriut, por besohet se zona përreth centralit bërthamor nuk do të jetë e “gatshme” për banim edhe për të paktën 20 mijë vite. /Telegrafi/