Site icon Telegrafi

Edhe presidenti i Akademisë, John Bailey hetohet për keqtrajtime seksuale

(Foto: Getty Images)

John Bailey, presidenti i Akademisë amerikane të arteve filmike dhe shkencave (AMPAS), që qëndron prapa çmimeve Oscar, është akuzuar për keqtrajtim seksual – bën të ditur BBC.

Hollywood Reporter dhe Variety kanë raportuar më herët se Akademia tashmë i ka nisur hetimet, duke qenë se ndaj tij janë bërë tri akuza për abuzim seksual.

(Foto: Getty Images)

Bailey ishte zgjedhur president i AMPAS-it në gusht të vitit të kaluar. Mandatin katërvjeçar e kishte marrë pak para se të shpërthente skandali për keqtrajtimet seksuale në Hollywood.

Derisa po vazhdojnë hetimet, as Akademia e as kreu i saj nuk kanë dashur të komentojnë në lidhje me akuzat ndaj tij.

Filmbërësi 75 vjeçar është i njohur në mes tjerash edhe për filmat, “American Gigolo”, “The Big Chill”  e “Groundhog Day”.

(Foto: Getty Images)

Në vitin 2015 kishte marrë çmimin për vepër jetësore nga Shoqata Amerikane e Kinematografëve.

Kujtojmë se dhjetëra femra kanë ngritur akuza ndaj producentëve, aktorëve dhe filmbërësve për keqtrajtime seksuale në Hollywood. Madje disa akuza janë ngritur edhe për përdhunime. /Telegrafi/

Exit mobile version