Nora dhe Akil Gjakova nuk arritën të vazhdojnë formën e mirë këtë vit, për t’u ngjitur në podium edhe në Kampionatin Botëror të xhudos “Baku2018”, që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.
Xhudistja Nora përfundoi në vendin e shtatë, duke fituar plot 520 pikë të reja Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020 [LOT 2020].
Kampionia e Evropës për kategorinë deri në 57 kilogramë, u mund në çerekfinale nga kanadezja, Chistra Deguchi,ndërsa në repesazh u mposht nga koreania, Yeujeong Kwong.
Në përgjithësi, Nora shënoi dy fitore ndaj: Iraoui (Maroko) dhe Gnetto (Francë).
Vëllai i Norës, Akili, në një konkurrencë tejet të fortë prej 82 garuesve, hyri në 16 më të mirët në kategorinë deri në 73 kilogramë, gjë që vlerësohet sukses.
Akil Gjakova mposhti Mendes dhe Ungvarin në raundet e para, për t’u ndalur në 1/8-tën e finales nga Smagulov i Kazakistanit.
Xhudisti jonë fitoi 320 pikë Olimpike para ‘LOT 2020’.
Të enjten Distria Krasniqi u ndal në luftën e dytë nga Daria Bilodid e Ukrainës, e cila fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë.
Të martën garon xhudistja tjetër, Loriana Kuka, në kategorinë deri në 78 kilogramë dhe mund të kemi ende pikë olimpike. /Telegrafi/