Sikurse partitë tjera, edhe Partia Euroatlantike e Kosovës e ka dorëzuar listën e saj me kandidatë për deputetë.
Sipas një liste të publikuar në rrjetet sociale shihet se kryetari i saj, Milaim Zeka i prinë listës.
Po sipas të njëjtës listë, kjo parti, gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të kandidojë me 45 kandidatë për deputetë.
Ndryshe, tashmë që është përmbyllur afati ligjor për dorëzimin e kërkesave dhe listave të kandidatëve të subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 tetorit, i hapet rruga një tjetër procesi.
Prej sot do të shqyrtohen të gjitha aplikimet e dorëzuara dhe vendimmarrja do të bëhet deri më 10 shtator.
Po ashtu, deri më këtë datë pritet edhe publikimi i listave i kandidatëve të certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndryshe gjithsej 25 subjekte politike, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 i pavarur, kanë dorëzuar aplikacionet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Ndërkohë që një pjesë e subjekteve politike tanimë kanë publikuar listën me kandidatët për deputet, të tjerët priten ta publikojnë të shtunën. /Telegrafi/