Nuredin Rexhepi është prurja më e re të Përfaqësuesja e Kosovës.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram se mbrojtësi i talentuar që luan te Stuttgarti do të jetë pjesë e Dardanëve.
Sikurse Eliot Bujupi, që po ashtu luan te skuadra gjermane, kishin përfaqësuar Gjermaninë U17, por tani do jenë pjesë e Kosovës.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Ademit (pa ndërhyrje):
Mirësevini në radhët e Dardanëve, Nuredin Rexhepi!
Sot dua të ndaj me të gjithë ju një tjetër lajm të mrekullueshëm pasi talenti i ri, Nuredin Rexhepi, tashmë do të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.
Nuredini është një 17-vjeçar shumë premtues, qendërmbrojtës i ekipit të VfB Stuttgart.
Nuredini, i cili deri tash ka qenë pjesë e Kombëtares U17 të Gjermanisë, ka vendosur të luajë me gjithë zemër për Kombëtaren e Kosovës.
Ky vendim i vlefshëm është marrë nga Nuredini dhe familja e tij, duke shprehur dëshirën e tyre të flaktë për ta përfaqësuar vendin e tyre.
Nuredini ka treguar shkathtësi të jashtëzakonshme në fushën e gjelbër. Përveç performancës së mirë në repartin e mbrojtjes, ai ka shënuar edhe katër gola në sezonin e kaluar në Bundesligën U17. Kjo e dëshmon talentin dhe efikasitetin e tij edhe para portave kundërshtare.
Ajo që na bën shumë krenarë është fakti se kemi një Diasporë të mrekullueshme, e cila po i rrit fëmijët e tyre me dashuri për atdheun.
Nuredini është shembull i shkëlqyeshëm i gjithë kësaj, duke e vendosur Kosovën në zemrën e tij dhe duke shprehur dëshirën për të përfaqësuar ngjyrat e kombëtares sonë.
Nuredinin e përgëzova që ka zgjedhur të bashkohet me ne dhe i urova shumë suksese në karrierën e tij.
Tani mbetet që ai të rregullojë dokumentacionin e nevojshëm dhe të pajiset me nënshtetësinë e Kosovës në mënyrë që ta fitojë të drejtën të luajë në fanellën dardane. /Telegrafi/