Telegrafi

Edhe një vilë historike, më pak në Tiranë: Shembet ndërtesa e vjetër, e motrave të Zogut

Gjurmët e “Qytetit kopsht”, konceptuar në planin rregullues të Tiranës në vitin 1936, dita-ditës po veniten. Një nga vilat historike te rruga e “Elbasanit”, e cila ka qenë pjesë e këtij koncepti nuk është më. Brenda dy ditësh u shemb. Sot gjenden vetëm rrënojat e godinës 80-vjeçare. Në vend të saj do të ndërtohet një pallat dhjetëkatësh.

Fillimisht ka qenë konceptuar si vilë e motrave të Zogut, ndërsa më pas ka qenë nën zotërimin e privatit. Vila historike 11 ka qenë në listën e monumenteve të kategorisë së II-të, gjë që për 80 vite nuk është tjetërsuar origjina e saj. Ndërsa, këtë periudhë statusi i është hequr.

Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk ka bërë asnjë deklarim për këtë. Mbase se fatin e kësaj vile do ta kenë edhe të tjera vila në kryeqytet. Gjurmët e tyre do të mbesin vetëm në librin studimor të arkitektes Vera Bushati, “Vilat e Tiranës”. Brezat që do të vijnë nuk do të kenë asnjë informacion më shumë. Historia po krijohet nga e para! /Report TV/