Një zyrtare e lartë e Ministrisë ruse të Mbrojtjes është gjetur i vdekur, pasi ka rënë nga dritarja e një apartamenti në një rrokaqiell në Shën Petersburg, raportojnë mediat e regjimit rus.
Marina Jankina, 58-vjeçe, ishte shefe e financave dhe prokurimit në Ministrinë e Mbrojtjes, transmeton Telegrafi.
Trupi i saj i pajetë është gjetur para ndërtesës ku ajo jetonte. E policia ruse ka njoftuar se dokumentet dhe gjësendet e tjera të saj janë gjetur në një tarracë të përbashkët të ndërtesës 16-katëshe.
Hetuesit rusë pretendojnë se bëhet fjalë për “vetëvrasje”, kurse vdekja e saj vjen vetëm disa ditë pasi gjenerali rus Vladimir Makarov, të cilin së fundmi e kishte shkarkuar presidenti rus Vladimir Putin, u gjet i vdekur jo larg Moskës.
Mediat ruse raportojnë se ajo “ka kërcyer nga dritarja”.
Edhe në rastin e gjeneralit të vdekur rus, hetuesit pretendojnë se bëhet fjalë për “vetëvrasje”. E këto “vetëvrasje” po bëhen çdo herë e më të shpeshta në elitën politike ruse.
Në veçanti që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ku presidenti rus Vladimir Putin shpesh i pakënaqur me rezultatet e të ngarkuarve, ka shkarkuar shumë gjeneralë – të cilët më pas gjendeshin të vdekur në rrethana misterioze. /Telegrafi/