Një monolit i ri misterioz tani është shfaqur në maje të një kodre në Kaliforni, vetëm shtatë ditë pasi për herë të parë një i tillë u zbulua në shkretëtirën e Utah.
Shfaqja e monolitit kishte ngacmuar imagjinatën e opinioni publik, të cilët nuk hezituan ta krahasojnë me ndonjë vepër “jashtëtokësorësh”, por pa kaluar shumë kohë u zhduk nga shkretëtira për t’u shfaqur në Rumani. Kurse tani një i ri u zbulua në Kaliforni, transmeton Telegrafi.
Mediat lokale raportojnë se ky objekt i metaltë është gjetur në majën e kodrës Pine, pasi që disa alpinistë lokalë po kalonin pranë dhe e fotografuan.
“Duket se obelisku është nga çeliku i papërpunuar, kurse lartësia e tij shkon në mbi tri metra”, ka shkruar njëri nga alpinistët që e ka gjetur monolitin.
Për dallim prej atij në Utah që ishte i ngulitur thellë dhe ishte shumë i qëndrueshëm, ky monolit nuk ishte edhe aq dhe nuk do të ishte e vështirë që dikush ta rrëzojë.
Megjithatë ajo çfarë po konsiderohet mister i madh është, se kush po i ndërton apo vendosë këto monolite në vende të ndryshme të botës. /Telegrafi/