Ish-ministri i jashtëm dhe njeriu i afërt me presidencën, Petrit Selimi, ka pohuar se Rita Ora ka konfirmuar performancën e saj në një koncert madhështor për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Presidenca ka marrë përsipër organizimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Zyrtarë të përfshirë në organizim kanë konfirmuar ditë më parë se Rita Ora performon në Kosovë me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, por kjo u kontestua nga disa media të cilat kanë hedhur dyshime për këtë performancë me që Rita më 17 shkurt zyrtarisht në agjendë ka paraparë angazhime tjera.
Sidoqoftë, është njeriu i afërt me presidentin Thaçi, Petrit Selimi, ai që në rrjetin social Tëitter ka thënë se këngëtarja ka konfirmuar performancën e saj në Kosovë.
“Pop ylli kosovaro-britanik, Rita Ora, ka konfirmuar koncertin e madh për 10 vjetorin e pavarësisë së Republikës. Njerëz, vetëm kujtoni se Roma nuk është ndërtuar për një ditë. Por, sigurisht se ata kanë pasur festa të mira”, ka shkruar Selimi në Twitter.
#Kosovo–#British pop star @RitaOra confirms big concert for #Kosovo10 #Kosova10 Anniversary of Republic. Folks, just remember Rome wasn't built in a day. But they sure had good parties. https://t.co/Hz6p2JRkFD
— Petrit Selimi (@Petrit) January 26, 2018
Edhe pse Selimi nuk ka funksion zyrtar lidhur me organizimin që po e bën presidenca, ai ka përvojë në këto organizime.
Udhëheqësi i Millenium Foundation më parë sa ka qenë pjesë e Ipkos ka arritur të sjellë reperin 50 Cent në Kosovë, që ka qenë koncerti i parë i ndonjë ylli ndërkombëtar në vendin tonë.
Më pas Selimi ka kontribuar që emra tjerë të performojnë në vend, por nga një rol më zyrtar së pari si këshilltar i kryeministrit dhe më pas edhe si ministër i jashtëm.
Rita Ora pritet të performojë për rreth një orë më 17 shkurt, për vendin dashurinë ndaj të cilit ajo kurrë nuk e mohoi, madje e promovoi, e çka e bëri atë ambasadore nderi të Kosovës.
/Telegrafi/