Site icon Telegrafi

Edhe një kompani e fuqishme e teknologjisë hyn në “Vala”

Operatori publik i telefonisë mobile në Kosovë, Vala, fitoi kontratën e shërbimeve të telefonisë dhe internetit, për njërën prej kompanive më të mira jo vetëm në Kosovë dhe regjion, por në rang global – 3CIS – pas testimeve disamujore që kishte bërë për shërbimet e operatorëve që i ofrojnë këto produkte në Kosovë.

Kompania 3CIS, e cila operon nga viti 2008 dhe shërbimet e saj blihen ekskluzivisht nga operatorët gjigantë botëror si Vodafone, ATN-t, TMobile dhe qindra operatorë të tjerë globalë, vendosi të nënshkruajë kontratën me Vala-n, pasi ekspertët e saj konkluduan që shërbimet telefonike dhe ato të internetit që ofron Vala, Wifi, 3G e 4G, janë padiskutueshëm më të mira se ato që i ofrojnë kompanitë konkurrente të Vala-s në Kosovë.

“Sot është arritur marrëveshje bashkëpunimi me Telekomin e Kosovës. Kjo marrëveshje fillon të funksionalizohet që nga 1 tetori”, bëri të ditur Gëzim Pula, Drejtor Ekzekutiv i 3CIS-i.

Sipas tij, përzgjedhja e Vala-s për ofrimin e shërbimeve ka ardhur si rezultat i analizave dhe krahasimeve.

“Jemi kompani që punojmë me kontrata me kompanitë më të mira botërore dhe kemi nevojë për shërbime cilësore”, theksoi Pula.

Përveç internetit të shpejtë Wifi, 3G dhe 4G, kompania 3CIS është pajisur edhe me mbi 200 numra të operatorit Vala.

“Që nga dita e parë që u vendosa në krye të PTK-së, tani Vala, mendova që motoja ‘Vala është e Kosovës’ nuk mjafton. Përveç që është e Kosovës, ne duhet të ofrojmë edhe shërbime më kualitative. Tani jemi në pozicionin e duhur që të jemi shumë më të mirë se konkurrenca dhe motoja e re i përshtatet të gjithëve. Vala ime është edhe e 3CIS-it, është e imja, e punëtorëve, qytetarëve dhe e gjithë Kosovës”, pohoi Drejtori Menaxhues i Vala-s, Agron Mustafa.

Dje Vala nënshkroi një marrëveshje që është quajtur gjigante me kolegjin AAB për shkak se drejtuesit e këtij kolegji vendosën që të gjitha shërbimet e internetit dhe telefonisë, së bashku me mbi 15 mijë studentët e saj, t’i marrin nga Vala.

“Në ditët në vijim do kemi befasi të shumta. Shërbimet do të vijojnë të jenë gjithnjë e më të mira dhe befasitë gjithashtu”, tha më tej Drejtori Mustafa.

Exit mobile version