Telegrafi

Edhe një kamion me prodhime të Serbisë përmbyset nga Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se e kanë përmbysur edhe një kamion me prodhime të Serbisë në Rrugën e Kombit.

Ja njoftimi i VV-së:

Hegjemonia e Serbisë në Kosovë është e papranueshme, qoftë ajo politike, ushtarake, apo ekonomike.

E vetmja e ardhme për të cilën do të punojmë e do të angazhohemi, është ajo e paqes me drejtësi e barazi mes vendeve.

Është e papranueshme për ne që Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën, si dhe të fshehë apo të mohojë krimet gjenocidale që ka bërë këtu, në vend që të kërkojë falje e të dëmshpërblejë viktimat.

Kjo Serbi që punon aktivisht kundër Kosovës, nuk mund t’i ketë dyert e hapura për prodhimet e saj.

Për të patur reciprocitet tregtar është i domosdoshëm në radhë të parë reciprociteti politik.

Për këtë arsye aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot, në Rrugën e Kombit, e kanë përmbysur një kamion me prodhime të Serbisë.

Aksione të tilla do të vazhdojnë deri sa qeveria e Serbisë të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës, dhe të mos na i mohojnë të drejtat tona kombëtare!

Dëshirojmë të bëjmë me dije se gjatë aksionit, si dhe gjatë çdo aksioni tjetër të mëparshëm, aktivistët janë kujdesur në maksimum që drejtuesi i mjetit dhe asnjë pasagjer të mos lëndohen fizikisht e të mos frikësohen. Ne nuk kemi asgjë kundër qytetarëve të cilësdo etni, apo të cilitdo vend. /Telegrafi/