Marseille dhe Atletico Madrid janë dy skuadrat tjera që kanë siguruar kalimin në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.
Liga e Evropës tani ka mësuar katër skuadrat gjysmëfinaliste të garës së dytë me të rëndësishme për klube në kontinentin e vjetër.
Pas Arsenalit që eliminoi CSKA Moskën dhe RB Salzburgut që bëri befasinë duke eliminuar Lazion, tani kalimin e kanë siguruar edhe Marseille dhe Atletico Madrid.
Skuadra franceze ka fituar në shtëpi ndaj RB Leipzig me rezultat të thellë 5-2, duke u kualifikuar me rezultat përfundimtar 5-3, pasi në takimin e parë humbën 1-0.
Golat në këtë ndeshje për Marseille u shënuan nga Stefan Ilsanker (OG, 6′), Bouna Sarr (9′), Florian Thauvin (38′), Dimitri Payet (60′) dhe Hiroki Sakai (90+), ndërsa për gjermanët shënuan Bruma (2′) dhe Jean-Kevin Augustin (55′).
Për dallim nga Marseille, Atletico Madridi humbi në ndeshjen e dytë ndaj Sporting Lisbonës me rezultat minimal 1-0.
Megjithatë, fitorja në takimin e parë me rezultat 2-0 ia siguroi kualifikimin me rezultat përfundimtar 2-1.
Goli i vetëm në këtë ndeshje u shënua nga Fredy Montero (28′). /Telegrafi/