Telegrafi

Edhe KFOR-i konfirmon se patrullimi në zonën kufitare ishte në koordinim me autoritetet serbe

Edhe Misioni i KFOR-it ka demantuar raportimet se forcat serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës këtë të shtunë, kur vendi po shënon 16-vjetorin e pavarësisë.

Në një deklaratë për media, KFOR-i ka thënë se lajmi i publikuar këtë pasdite, i cili përshkruan një njësi serbe duke drejtuar armët drejt civilëve në territorin e Kosovës, është i pavërtetë.

Njëjtë si Policia e Kosovës, edhe KFOR-i në reagimin e tij për këtë rast ka njoftuar se në zonën kufitare ka kryer patrullim në bashkëpunim me autoritetet serbe.

Lexo po ashtu Policia demanton raportimet se forcat serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës: Patrullim i zakonshëm i KFOR-it me autoritetet serbe

“Sot, rreth orës 14:45, një njësi letoneze që i përkiste KFOR-it po përgatitej të fillonte një patrullë të planifikuar në bashkëpunim me Forcat e Armatosura Serbe, përgjatë të dyja anëve të vijës kufitare administrative. Në kohën kur u bë fotografia në fjalë, personeli letonez po koordinohej me homologët e tyre serbë, të cilët ishin pozicionuar në anën e tyre të vijës kufitare administrative”.

“Është e rëndësishme të theksohet se ekipi letonez ishte pozicionuar më tej pas udhëheqësit të tyre, i cili ishte i përfshirë në koordinimin e aktiviteteve me Forcat e Armatosura Serbe”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, imazhi mund të jetë prerë për të përjashtuar pjesët që përshkruanin liderin letonez duke biseduar me udhëheqësin e Forcave të Armatosura Serbe.

“Patrulla e sinkronizuar është kryer në mënyrë profesionale dhe në respektim të plotë të procedurave të përcaktuara. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, duke ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, bëhet e ditur tutje. /Telegrafi/