Edhe Misioni i KFOR-it ka demantuar raportimet se forcat serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës këtë të shtunë, kur vendi po shënon 16-vjetorin e pavarësisë.
Në një deklaratë për media, KFOR-i ka thënë se lajmi i publikuar këtë pasdite, i cili përshkruan një njësi serbe duke drejtuar armët drejt civilëve në territorin e Kosovës, është i pavërtetë.
Njëjtë si Policia e Kosovës, edhe KFOR-i në reagimin e tij për këtë rast ka njoftuar se në zonën kufitare ka kryer patrullim në bashkëpunim me autoritetet serbe.
“Sot, rreth orës 14:45, një njësi letoneze që i përkiste KFOR-it po përgatitej të fillonte një patrullë të planifikuar në bashkëpunim me Forcat e Armatosura Serbe, përgjatë të dyja anëve të vijës kufitare administrative. Në kohën kur u bë fotografia në fjalë, personeli letonez po koordinohej me homologët e tyre serbë, të cilët ishin pozicionuar në anën e tyre të vijës kufitare administrative”.
“Është e rëndësishme të theksohet se ekipi letonez ishte pozicionuar më tej pas udhëheqësit të tyre, i cili ishte i përfshirë në koordinimin e aktiviteteve me Forcat e Armatosura Serbe”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, imazhi mund të jetë prerë për të përjashtuar pjesët që përshkruanin liderin letonez duke biseduar me udhëheqësin e Forcave të Armatosura Serbe.
“Patrulla e sinkronizuar është kryer në mënyrë profesionale dhe në respektim të plotë të procedurave të përcaktuara. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, duke ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, bëhet e ditur tutje. /Telegrafi/