Ambasadorja amerikane në NATO ka thënë se nuk pret që aleanca ushtarake t’i bëjë ftesë për anëtarësim Ukrainës.
“Sa i përket samitit këtë verë, nuk pres që aleanca të ftojë në këtë moment”, tha Julianne Smith, raporton skynews.
Ukraina e ka bërë të qartë se dëshiron t’i bashkohet aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja dhe udhëheqësit e NATO-s kanë thënë se Kievi do të bëhet anëtar në të ardhmen.
Por, deri më tani anëtarët ekzistues të NATO-s nuk kanë bërë ndonjë ftesë apo një afat kohor, duke pasur parasysh konfliktin e vazhdueshëm me Rusinë.
Ukraina ka kërkuar që të ftohet për anëtarësim – edhe pse e pranon se Kievi nuk do të jetë në gjendje t’i bashkohet përderisa është në luftë me rusët.
Ndryshe, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, e quajtur edhe Aleanca e Atlantikut të Veriut, është një aleancë ushtarake ndërqeveritare e 31 shteteve anëtare – 29 evropiane dhe dy të Amerikës veriore. /Telegrafi/