Telegrafi

Edhe Italia miraton përdorimin e vaksinës së AstraZeneca te personat mbi 65 vjeç

Italia ka miratuar vaksinën e coronavirusit nga AstraZeneca për njerëzit e moshës mbi 65 vjeç, deklaroi të hënën ministria italiane e shëndetësisë.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, drita jeshile për përdorimin e vaksinës tek të moshuarit u dha pas dyshimeve fillestare që pati qeveria italiane mbi efikasitetin e saj te personat e moshës mbi 65 vjeç, duke përmendur mungesën e të dhënave.

Ata që janë “jashtëzakonisht të rrezikuar”, ndaj patologjive të veçanta mbeten të përjashtuar, deklaroi ministria e shëndetësisë.

Lexo po ashtu Gjermania dhe Suedia miratojnë vaksinën e AstraZeneca, edhe për ata mbi 65 vjeç

Edhe Gjermania që më parë kishte thënë se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për të miratuar vaksinën për njerëzit e moshuar, ka ndryshuar pozicionin e saj.

Komisioni i vaksinave të Gjermanisë tani ka rekomanduar vaksinën e AstraZeneca/Oxford për Covid-19, edhe për njerëzit mbi moshën 65 vjeç.

“Komisioni i vaksinave tani rekomandon vaksinën AstraZeneca edhe për njerëzit mbi 65 vjeç. Ky është një lajm i mirë për njerëzit e moshuar që po presin të marrin vaksinën”, pati thënë ministri i shëndetësisë, Jens Spahn. /Telegrafi/