Telegrafi

Edhe Haradinaj i uron shërim të shpejtë Hotit, thotë se Qeveria duhet të ndërmarrë veprime konkrete për rimëkëmbjen ekonomike

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka uruar shërbim të shpejtë kryeministrit Avdullah Hoti dhe të gjithë qytetarëve të prekur me coronavirus.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook i bën thirrje qytetarëve që në funksion të ruajtjes së jetës njerëzore, t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe gjithë qytetarëve të prekur nga COVID-19, ju uroj shërim të shpejtë dhe rikthim në angazhimet e tyre të përditshme.

Bashkëndjej me të gjithë ata që humbën të afërmit e tyre, duke bërë thirrje tek të gjithë qytetarët që në funksion të ruajtjes së jetës njerëzore, t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Paralelisht, Qeveria e Republikës duhet ndërmarrë veprime konkrete për rimëkëmbjen ekonomike. Mirëqenia e qytetarëve asnjëherë nuk duhet vënë në rrezik. Andaj, të veprojmë të bashkuar që ta kalojmë me sukses edhe këtë krizë që ka kapluar të gjitha shtetet e botë”, shkruan Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/