Telegrafi

Edhe ambasadori amerikan reagon për sulmin me vezë ndaj Avdullah Hotit

Foto: Arkiv

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se në sistemin demokratik të Kosovës nuk duhet të ketë vend për dhunë, pavarësisht nëse arma e zgjedhur është armë, gaz (lotsjellës) ose vezë.

“Kjo nuk është shaka, dhe ata që bëjnë dhunë dhe ata që e inkurajojnë atë duhet ta konsiderojnë dëmin për reputacionin e Kosovës”, ka shkruar Kosnett në një postim në Twitter, përcjell Telegrafi.

Madje, sipas tij, edhe arsyetimi se “edhe ata na e bënë këtë” nuk është justifikim.

“Respektoni demokracinë. Bisedoni me njëri-tjetrin”, ka shkruar tutje Kosnett në Twitter.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para disa ditësh është sulmuar me vezë afër objektit të Qeverisë së Kosovës.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet se si Hoti është sulmuar me vezë nga persona të panjohur, derisa ishte duke ecur në rrugën prapa ndërtesë së Qeverisë së Kosovës, i shoqëruar nga tre persona tjerë.

“Taksën s’ban me hjek. Taksën s’ban me hjekë”, dëgjohet të thotë personi, që ka hedhur vezët në drejtim të Hotit. /Telegrafi/