Site icon Telegrafi

Edhe 6 komuna tjera do të ndjekin shembullin e Prishtinës për transportin publik

Forma e mirë e reformimit të Trafikut Urban nga ana e Komunës së Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, ka shtyrë Ministrinë e Financave Avdullah Hoti që këtë model mund ta aplikoj edhe në gjashtë komuna të tjera të vendit. Reformimi i transportit publik në këto gjashtë komuna të mëdha pritet të bëhet nëpërmjet BERZH-it.

Për këtë, ministri i Financave Avdullah Hoti përmes një letre dërguar gjashtë kryetarëve të komunave ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Financave për të mbështetur komunat e Prizrenit, Ferizajt, Mitrovicës, Gjakovës, Gjilanit dhe komunën e Pejës për projektin për reformimin e transportit publik.

Ai bën të ditur se përzgjedhja e këtyre komunave është bërë duke marrë për bazë numrin e popullsisë dhe duke pasur parasysh nevojën që mund të kenë në reformimin e transportit publik.

“Pas arritjes me sukses të marrëveshjes së garancisë dhe fillimit të të njëjtit projekt për Komunën e Prishtinës, në vazhdën e bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi pasur me BERZH-in, po ju njoftoj për fillimin e bisedimeve me përfaqësuesit e kësaj banke për projekte të mundshme edhe për komunat tjera, respektivisht Komunën e Prizrenit, Ferizajt, Pejës, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit”, ka thënë Hoti, shkruan Telegrafi.

Ai përmes kësaj letre ka ftuar gjashtë kryetarët e Komunave që pas koordinimit me BERZH-in, të caktojnë takime informuese rreth projekteve të mundshme, të cilat do të shërbenin kryesisht për të informuar përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe të BERZH-it për situatën e transportit publik në këto komuna.

“Kërkesa që kemi pranuar nga BERZH-i rreth kompletimit të informatave është parashtruar një formë pyetësori që do ta mundësonte një përshkrim në detaje të situatës”, ka thënë ministri Avdullah Hoti.

Në fund të kësaj letre drejtuar kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, si dhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka theksuar se “Duke vlerësuar nevojat e komunave dhe situatën në teren mund të lëviznim drejt definimit dhe detajizimit të projekteve në bashkëpunim të ngushtë me BERZH-in dhe ekipet e tyre që kanë ndihmuar Ministrinë e Financave dhe Komunën e Prishtinës në përgatitjen dhe tani implementimin e Projektit për Reformimin e Transportit Publik në Prishtinë”. /Telegrafi/

Exit mobile version