Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se brenda 24-orëve të fundit katër persona kanë humbur jetën nga coronavirusi dhe janë konfirmuar 279 raste të reja.
Zemaj përmes një shkrimi të bërë në Facebook, po ashtu ka falënderuar qeverinë gjermane për donacionin e dhuruar Kosovës, që përmban pajisje dhe produkte mjekësore në vlerë prej 2.17 milion euro, transmeton Telegrafi.
“Donacioni i Qeverisë Gjermane në bashkëpunim me OBSh-së dhe e Ministrinë e Shëndetësisë, përmban pajisje dhe produkte mjekësore në vlerë prej 2.17 milion euro, për përballje me pandeminë. Dërgesa është dorëzuar në prani të ambasadorit gjerman Rohde në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe do të shërbejë për të fuqizuar kujdesin ndaj pacientëve dhe, mbrojtjen gjithashtu të punonjësve shëndetësor që janë në vijën e parë të betejës kundër Covid -19”, ka thënë ai.
Zemaj ka thënë se “solidaritetin e OBSh-së dhe Qeverisë gjermane e vlerësoj jashtëzakonisht shumë sidomos në këtë kohë të pandemisë, andaj, shpreh respektin më të thellë për kontributin e tyre të vazhduar përfshirë edhe këtë donacion”.
“Falënderoj dhe mirëpres përkrahjen e mëtejme të OBSh-së dhe Gjermanisë në favor të ruajtjes dhe përparimit të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Ndërsa sa i përket situatës epidemiologjike, brenda 24 orëve të fundit nga 1,775 mostra të marra, 279 raste kanë rezultuar pozitivë, apo me pozitivitet 15.7 % ndërsa kemi 441 të cilët e kanë fituar betejën me Covid 19”, përfundon shkrimi i tij.
Ndërkaq, në njoftimin e bërë nga IKSHPK thuhet se rastet e vdekjes janë nga komunat: Suharekë 2 raste (89, 64 vjeç), Drenas 1 rast (78 vjeç), Lipjan 1 rast (76 vjeç).
“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 441 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 48.046 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.401”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 77 raste, Podujevë 32 raste, Mitrovicë 28 raste, Pejë 19 raste, Gjilan 16 raste, Ferizaj 15 raste.
Vushtrri 13 raste, Shtime 9 raste, Fushë-Kosovë 8 raste, Kamenicë 7 raste, Obiliq 6 raste, Suharekë 6 raste, Viti 6 raste.
Drenas 5 raste, Klinë 5 raste, Lipjan 5 raste, Malishevë 4 raste, Prizren 4 raste.
Istog 3 raste, Skenderaj 3 raste, Hani i Elezit 2 raste, Rahovec 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Dragash, Graçanicë dhe Kaçanik. /Telegrafi/