Site icon Telegrafi

Edhe 10 raste të reja me COVID-19 dhe vetëm një i shëruar në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se të premten janë testuar gjithsej 236 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, nga të cilat janë konfirmuar 10 raste me COVID-19.

Sipas IKSHPK-së, rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Vushtrri), komuna e Ferizajt 4 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Ferizaj dhe 1 rast Rahovicë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Prishtinë dhe Randobravë-Prizren.

Po ashtu të premten është shëruar edhe një pacient derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 691 raste.

“Nga data 08 shkurt deri më 15 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 11.178 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 955 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome, transmeton Telegrafi.

Exit mobile version