Telegrafi

EdGuard: Mos vazhdimi i anëtarësimit të AKA-së në ENQA paraqet rezultat të kapjes së saj nga politika dhe grupet e interesit

Instituti “EdGuard” vlerëson se mos vazhdimi i anëtarësimit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit në ENQA paraqet rezultat të kapjes së AKA-së nga politika dhe grupeve të interesit që sipas “EdGuard” janë të ndërlidhura me politikën dhe bartës të arsimit të lartë.

“Emërimet dhe shkarkimet politike të KSHC-së kanë shoqëruar këtë institucion qysh nga themelimi. Janë pikërisht këto emërime dhe punësime që kanë kontribuuar në paaftësi institucionale të AKA-së për të plotësuar kriteret e ENQA-së”, thuhet në njoftim.
Sipas “EdGuard”, përgjigja nga ENQA vë në pah mangësitë procedurale dhe operative të AKA-së në sigurim të cilësisë në arsimin e lartë në vend.

“Mungesa e pavarësisë së institucionit ka rezultuar me keqadministrim dhe keqpërdorim të procesit të akreditim për tashmë vite me radhë. Përkushtimi i vetëm i AKA-së ai i plotësimit të tre doktorëve të shkencës për program nuk është diçka që domosdoshmërisht garanton sigurim të cilësisë në arsimin e lartë – gjë që u dëshmua nga ky vendim i ENQA”, thekson njoftimi.

Lexo po ashtu Përjashtimi i AKA nga ENQA, lajm i keq për Kosovën

Në njoftim Instituti “EdGuard”, thekson se shpresojn shumë që në mandatin e ri të kuvendit qysh në fillim me prioritet të vihet miratimi i Ligjit për Arsimin e Lartë – i paraprirë nga një debat gjithëpërfshirës, në veçanti për mekanizmat që do të mund të garantonin pavarësi të AKA-së.

Kujtojmë që Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) ka marrë vendim që ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).
Në letrën dërguar Agjencisë së Kosovës për Akreditim, presidenti i ENQA-s Christoph Grolimund, ka shkruar se bordi i ENQA-s ka ardhur në përfundim se niveli i përgjithshëm i pajtueshmërisë me Standardet dhe udhëzimet për sigurimin e cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (ESG) nuk është i mjaftueshëm për të përmirësuar anëtarësimin e Agjencisë në këtë fazë./Telegrafi/