Ed Sheeran pritet të vijë për herë të parë në Kroaci, në Hipodromin e Zagrebit, më 10 gusht të vitit 2024.
Biletat për spektaklin e madh të koncertit dalin në shitje më 26 tetor.
“Ardhja e Ed Sheeran në Zagreb verën e ardhshme është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm midis qytetit të Zagrebit dhe ekipit të tij. Ne jemi të kënaqur që do të jemi në gjendje t’u ofrojmë qytetarëve një spektakël të shkëlqyer që besoj se do ta shijojnë”, tha Emina Visnic, drejtuese e Zyrës së Qytetit për Kulturë dhe Shoqëri Civile.
Gjithashtu për këtë ka folur edhe promovuesi Ewald Tatar.
“Si fillim, dua të falënderoj qytetin e Zagrebit dhe ekipin në Hipodrom paraprakisht për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer. Jam jashtëzakonisht i lumtur që arritëm të sjellim një shfaqje të madhe të një ylli të tillë ndërkombëtar në Zagreb. Si një kompani lider në tregun austriak me një portofol të jashtëzakonshëm, shpresoj se ky projekt do të jetë pikënisja për projektet e ardhshme të mëdha në Zagreb dhe Kroaci”, tha ai.
Sheeran publikoi dy albume këtë vit
Lajmi për ardhjen e këngëtarit të njohur në Kroaci u konfirmua gjatë turneut të Sheeran-it në Amerikën Veriore.
Atje, ai vendosi rekorde me performanca të shumta duke përfshirë Stadiumin SoFi në Los Angeles dhe Stadiumin MetLife në New Jersey.
Në këtë të fundit, ai mblodhi numrin më të madh të vizitorëve ndonjëherë në një koncert në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vetëm këtë vit, Sheeran publikoi dy albume: (Subtract) dhe “Autumn Variations”, që të dy arritën numrin një në mbarë botën. /Telegrafi/