“Duke ndjekur praktikat e demokracive perëndimore ku shoqatat civile kërkojnë llogaridhënie nga të zgjedhurit, por edhe shpeshherë krijojnë politika dhe platforma të ndryshme në interes të qytetarëve, Lëvizja Eco Guerilla ju informon se ka përpiluar një platformë me 5 pika të quajtur “5 përkushtime ndaj tetovarëve” të cilën ua ka prezantuar për shqyrtim të pesë kandidatëve për kryetar të Komunës së Tetovës dhe të njëjtit i ka ftuar që me datë 9 Tetor 2017 (të hënën) në ora 10:00 në prani të mediave në një ceremoni publike së bashku ta nënshkruajnë dokumentin”, thuhet në njoftimin e Eco Guerilla.
Në dokument kërkohet angazhim i kreut të ardhshëm të Komunës së Tetovës për transparencë fiskale (publikim të rregullt të raporteve financiare, historikut të borxheve gjatë 10 viteve të fundit), më shumë pastërti publike (larje të të gjitha rrugëve dhe lagjeve të qytetit së paku njëherë në muaj), komunikacion efikas (transport publik me standarde ekologjike, parqe, hapësira të gjelbërta), funksionim më të rreptë të inspektoratit ekologjik komunal (gjoba për ndotësit e kategorisë B, transparencë për gjobat), si dhe angazhim për shndërrimin e kazermës në park të qytetit.
“Vlerësojmë se gatishmëria e kandidatëve për t’ju përkushtuar tetovarëve edhe përmes këtyre 5 pikave do çmohet dhe njihet nga qytetarët, votues e taksapagues të Komunës së Tetovës, dhe do kritikohet e ndëshkohet mungesa e interesimit të kandidatëve që nuk do duan të lënë firmën në një dokument të tillë. Kandidatët për kreun e komunës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në aktin e nënshkrimit të këtij dokumenti”, shtojnë nga Eco Guerilla./Telegrafi/