Site icon Telegrafi

Eco Guerilla: Përfundimisht pa ‘Jugohromin’ ajri në Tetovë është për 40 – 50% më pak i ndotur (Tabela)

Lëvizja Eco Guerilla në një reagim për Telegrafi Maqedoni në lidhje me kërkesën e Sindikatës së Jugohromit që kombinati të rifillojë punën pa filtra, dënon ashpër tendencat e udhëheqësisë së kombinatit “Jugohrom”.

‘Lëvizja Eco Guerilla dënon ashpër tendencat e udhëheqësisë së kombinatit “Jugohrom” që Qeveria të anulojë vendimin për ndalesën e punës së këtij ndotësi, dhe që Jugohrom të vazhdojë të ndot edhe më tej rajonin, është kërkesë e papranueshme, e kundërligjshme, e rrezikshme dhe me pasoja fatale për gjithë banorët e Tetovës dhe rajonit.

Duke krahasuar numrat, shihet qartë se përfundimisht pa Jugohromin, ajri i Tetovës është 40% deri në 50% më pak i ndotur.

Ne flasim me numra dhe fakte, ndërsa udhëheqësia e Jugohromit manipulon me mashtrime dhe shpifje.

Për shkak të aktivitetit disa vjecar te Jugohromit, janë shkaktuar pasoja të pariparushme negative në ambientin jetësor dhe në shëndetin e banorëve të Pollogut. Si rrjedhojë, është e pashmangshme inicimi i procedurës penale me të cilën do të konfirmohet përgjegjësia e udhëheqësisë së Jugohromit dhe do të shqiptohen sanksione të merituara.

Organizata Eco Guerilla ka deklaruar se Jugohrom është një nga ndotësit më të mëdhenj të Tetovës me rrethinë, dhe kjo është vërtetuar me uljen e nivelit të ndotjes në periudhat kur Jugohrom nuk ka punuar:

Janar 2016, 39% më e ulët; Shkurt 2016, 41% më e ulët; Nëntor 2016, 49% më e ulët; Dhjetor 2016, 51%më e ulët.

Vitin e kaluar Tetova arriti në 1000 mg PM10 në 1m3 ajër. Këtë vit maksimumi ka qenë 500 mg.

Vitin e kaluar kemi qenë të parët në Evropë, por dhe në Botë. Këtë vit jemi në vendin e 7 – 8 në Maqedoni.

Sigurisht që Tetova vazhdon të jetë e ndotur por pa ndotjen nga Jugohromi është dukshëm më mirë’.

Organizata sindikale e ‘Jugohrom Alzar’ nga Jegunovci sot do të dorëzojë një letër-urgjence deri te Komisioni shtetëror për vendosje në shkallë të dytë pranë Qeverisë së Maqedonisë me të cilën kërkohet që ai pozitivisht t’u përgjigjet ankesës kundër shkyçjes të paarsyeshme të kombinatit nga puna. /Telegrafi/

Exit mobile version