Lëvizja qytetare “Eco Guerilla” përmes një kumtese për media kërkon përgjegjësi edhe nga kryeministri Zoran Zaev për ujin në Tetovë, i cili për disa ditë me radhë është duke rrjedhur me erë dhe është i papijshëm.
“Gjatë ditës së djeshme një numër i madh i qytetarëve të indinjuar dhe bizneseve private na kanë kontaktuar për të mësuar për problemin e ujit të pijshëm me erë kimikatesh në Tetovë. Duke mos pasur informacione të besueshme se çka në të vërtetë përmban uji, ne nuk mund të japim informacion për këtë problematikë me të cilën shpesh po përballemi si qytet”.
“Në anën tjetër kemi heshtje dhe papërgjegjësi nga Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, e cila në një situatë kaotike si kjo, nuk doli të prononcohet dhe të sqarojë problemin e ujit. Qytetarët janë të hutuar dhe në panik se si të sillen me ujin e pijshëm për ta dhe fëmijët e tyre”, thonë nga Eco Guerilla.
Ata kërkojnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë edhe nga kryeministri Zoran Zaev.
“Problemet me ujin e pijshëm, me bërllokun, papastërtinë e madhe në qytet, uzurpimin e hapësirave publike, jo transparencën financiare, trafiku urban, parkingjet, etj. Kryeministri personalisht ishte në krye të fushatës për të zgjedhur këtë kryetare që kemi. Në vende udhëheqëse emërohen njerëz të paaftë dhe jokompetent për detyrat që kanë”.
“Urgjentisht kërkojmë që Qeveria t’ja marrë ingerencat e Komunës së Tetovës për paaftësinë për të menaxhuar qytetin me problemet e përditshme me te cilat po ballafaqohet”, thuhet në njoftim.
Në fund nga Eco Guerilla thonë se nëse kjo gjendje e padurueshme vazhdon, reagimi qytetar do të jetë shumë i ashpër./Telegrafi/