Site icon Telegrafi

E trishtë, i bien dyert e oborrit – 3 vjeçari ndërron jetë në Spitalin e Gjakovës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në Spitalin Rajonal të Gjakovës, ku një fëmijë 3-vjeçar ka humbur jetën.

Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Policia e Gjakovës.

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta tha për Telegrafin se fëmija ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimit nga rënia e dyerve të oborrit.

“Rasti ka ndodhur dje në Rahovec. Fëmija i moshës 3 vjeçar ka qenë duke luajtur në oborr ku disa dyer që kanë qenë jashtë përdorimit janë rrëzuar dhe i kanë rënë atij. I njëjti me urgjencë është sjellur në Spitalin e Gjakovës ku edhe ka ndërruar jetë”, tha Graishta.

Ai shtoi se rasti është kualifikuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Edhe në raportin 24 orësh të policisë është bërë e ditur se viktima ishte sjell në spital me lëndime të rënda trupore.

“Në emergjencën e Spitalit Rajonal Gjakovë nga prindi është sjellur një fëmijë – viktimë mashkull kosovar i moshës tre vjeçar me lëndime të rënda trupore, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e viktimës. Dyshohet se aksidentalisht një derë e hekurt e mbështetur nga muri është rrëzuar dhe ka goditur viktimën. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

Nga Prokuroria Themelore e Gjakovës kanë deklaruar për Telegrafin se trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se nga ana e Policisë së Kosovës, është njoftuar prokurori kujdestar dhe me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në përgjigjen e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version