Telegrafi

E thonë nga federata maqedonase, ndeshja ndaj Kosovës mund të luhet pa tifozë shkaku i coronavirusit

Jemi futur në muajin mars, muaj në të cilin Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvilloj ndeshjen më të rëndësishme në histori të saj.

Dardanët do të luajnë në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve përballë Maqedonisë së Veriut në Shkup.

Por kjo ndeshje rrezikon të luhet pa tifozë, shkaku i virusit që është përhapur thuajse në gjithë vendet e botës, coronavirus.

E ky virus është shpërndarë edhe në shtetin fqinj Maqedoni të Veriut, teksa ndeshjet e kampionatit po luhen pa praninë e tifozëve.

Por nëse gjërat nuk përmirësohen, atëherë edhe ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës rrezikon të luhet pat tifozë.

Kështu së paku ka deklaruar zëdhënësi i Federatës maqedonase Zlatko Andonovski për mediumin ekipa.mk.

“Kemi pasur konsultime në Amsterdam gjatë Kongresit të UEFA-s për këtë çështje. Mund të them se si federatë duhet të respektojmë rekomandimet e Qeverisë dhe me siguri ndeshjet e kampionatit deri më 13 mars do të luhen pa shikues”.

“Deri më tani ndeshja në mes të Maqedonisë dhe Kosovës nuk është në rrezik. Por mundësia që të luhet pa shikues, nuk përjashtohet. Çdo gjë varet nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë. Nëse ka një vendim të tillë, ne do të njoftojmë UEFA-n. UEFA po e monitoron situatën në të gjitha vendet”, ka deklaruar Zlatko Andonovski.

Tutje ai ka thënë se nëse luhet ndeshja pa tifozë, atëherë Federata do t’ia kthejë paratë të gjithë tifozëve që kanë blerë bileta deri më tani.

“Ne gjithashtu kemi diskutuar këtë gjë me institucionet kompetente dhe nëse merret vendimi që ndeshja të luhet pa tifozë, atëherë ne do t’ia kthejmë paratë të gjithë atyre që kanë blera bileta”, përfundoi Andonovski.

Ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës e vlefshme për gjysmëfinalen e Divisionit D në Ligën e Kombeve do të zhvillohet më 26 mars. /Telegrafi/