Site icon Telegrafi

E pranon piloti italian: Erdha në Ishëm për të testuar pistën, pas 1 muaji do të transportoja 200 kg kanabis

Një avion tip Piper i rrëzuar këtë mëngjes në grykëderdhjen e Ishmit risolli edhe njëherë debatin në Shqipëri për trafik të mundshëm droge me avion nga vendi ynë drejt Italisë.

Piloti italian, 69-vjeçari Guido Andrea Guidi fillimisht mohoi përfshirjen e tij në veprimtari kriminale duke thënë se ishte nisur nga Bari në drejtim të Veriut të Italisë dhe se kishte shfrytëzuar kohën e bukur për të fluturuar mbi det. Sipas dëshmisë së tij paraprake, ai hasi një defekt gjatë fluturimit e për këtë arsye një tokë arë e punuar u pa si vend i përshtatshëm për të kryer ulje të detyruar pas avarisë.

Lexo po ashtu Ulet një avion në zonën mes Laçit dhe Krujës, policia: Nuk ka drogë (Video)

U deshën orë të tëra para hetuesve, që piltoti italian më në fund të dorëzohej. Në mbrëmje u mësua përmes burimeve nga policia, se piloti e kishte pranuar që kishte ardhur në Shqipëri për trafik droge. Ai do të provonte një pistë të improvizuar 1.5 km e cila ishte punuar prej pak ditësh pranë grykëderdhjes së Ishmit, dhe më tej, pas një muaji do të transportonte 200 kilogramë kanabis sativa. Pikërisht në zonën mes Laçit dhe Krujës, në grykëderdhjen e Ishmit, në fshatin Godull, u tha se një avion tip Piper ishte rrëzuar rreth orës 08:45.

Ishte gazetari Artan Hoxha i cili bëri publik për herë të parë këtë fakt të rëndësishëm duke deklaruar në studion e “Opinion” se “gjatë deklarimeve që ka dhënë sot pasdite shtetasi italian, ai ka deklaruar se kam ardhur në Shqipëri për të provuar nëse funksionon pista. Kam ardhur për të provuar pistën dhe plani im ka qenë që të kthehem dhe të transportoj një sasi prej 200 kg drogë”.

Lexo po ashtu Gazetari shqiptar: Këto janë provat që avioni në Ishëm erdhi për drogë (Video)

Edhe prokurorët që mbërritën në vendngjarje thanë se avioni është rrëzuar gjatë tentativës për tu larguar. Rrota e avionit u këput dhe avioni rrëshqiti në gjendje të lirë përgjatë afro 100 metrave dhe ka ngelur në disa shkurre pikërisht në grykëderdhjen e lumit Ishëm.

Aviacioni Civil konfirmoi se avioni nuk kishte marrë leje për fluturim.

Ndërkohë, mësohet se piloti italian nuk e kishte për herë të parë udhëtimin në Shqipëri. Më 6 nëntor 2013 Guido Andrea Guidi ka ardhur në vendin tonë përmes aeroportit të Rinasit dhe është larguar po atë ditë nga vendi ynë. Ndërsa herën e dytë, ka hyrë nga Muriqani rreth dy muaj më pas, më 10 janar 2014 dhe është larguar të nesërmen përmes aeroportit të Rinasit.

Prokurorët dyshojnë se ky është një rast i ngjashëm me atë të pilotit italian Giorgio Riformato, avioni i të cilit u rrëzua më 9 Maj të vitit 2014, në plazhin e Divjakës. Hetimet zbuluan se ai do të transportonte rreth 400 kilogramë kanabis, ndërsa Gjykata e dënoi Riformaton me 12 vjet burg.

Exit mobile version